DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi: FSK-ja, forcë në shërbim të gjithë qytetarëve të Kosovës

Gjilan, 13 nëntor 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë sot në ceremoninë e gradimit të pesë pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë në Batalionin e Parë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi fillimisht uroi për këtë hap tjetër të madh të FSK-së, drejt ndërtimit të një force profesionale, gjithëpërfshirëse, ku sipas tij gjejnë vend të gjitha komunitetet e Kosovës dhe që është në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.“Sot shënojmë gradimin e pesë pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Të gjithë vijnë nga komunitetet jo shumicë, duke e shtuar kështu prezencën e tyre në FSK, dhe duke kontribuar në realizimin e aspiratës që kemi për forcën tonë të sigurisë”, theksoi presidenti Thaçi.Ai tha se kanë kaluar trajnimet dhe testet e parapara këta pesë pjesëtarë të FSK-së nga sot do të mbajnë gradën e nënoficerit të FKS-së, e që sipas tij. ”Trajnimet dhe testet nëpër të cilat kalon çdo pjesëtar i FSK-së janë të përgatitura nga NATO, sipas standardeve të NATO-s. Me këtë synohet profesionalizmi i FSK-së i nivelit të NATO-s”, vijoi presidenti Thaçi.Duke qenë se pjesëtarët që gradohen sot vijnë nga komunitetet jo shumicë në Kosovë, kreu i shtetit tha se me këtë realizojmë aspiratën tonë për një forcë multietnike, gjithëpërfshirëse.“FSK-ja me këtë e tregon edhe një herë se është shtëpi e të gjithëve. Me angazhimin e vet gjatë tërë këtyre viteve, FSK-ja tregon se është forcë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, në çdo kënd të Kosovës”, pohoi presidenti Thaçi.Ai më tej tha se FSK-ja ka ngritur nivelin e profesionalizmit dhe përgatitjes në shkallën më të lartë.“Ka kryer me përgjegjësi, me profesionalizëm, me paanshmëri, çdo detyrë që i është dhënë deri tani. FSK-ja është bërë forcë që gëzon besim nga të gjithë qytetarët”, duke shtuar më tej se “Është bërë institucion që kontribuon për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, për jetë të qetë dhe të sigurte të të gjithë qytetarëve”.I pari i vendit tha se duke parë këto të arritura të FSK-së, jemi të bindur se kjo forcë është e gatshme të marrë përgjegjësi të reja, detyra të reja, dhe të kontribuojë për paqen e sigurinë përtej Kosovës.“Si Kosovë synojmë që nga një konsumues i resurseve të sigurisë të NATO-s, të kthehemi në kontribuues për sigurinë në rajon e më gjerë, që së bashku me NATO-n të punojmë për paqen në botë. Jemi duke bashkëpunuar ngushtë me NATO-n dhe partnerët tonë që të realizojmë këtë transformim dhe këtë aspiratë. Jemi mirënjohës për përkrahjen që na është dhënë dhe për besimin që na është treguar”, shtoi ai.Kreu i shtetit tha se “Ambasadorët e Këshillit Veri Atlantik, gjatë vizitës së tyre këtë muaj, në Kosovë, dëgjuan për të arriturat e FSK-së”, duke shtuar më tej se jemi mirënjohës për vizitën dhe për konfirmimin e bashkëpunimit që kemi marrë nga ambasadorët.Në fund, Presidenti Thaçi tha se pjesëtarëve të FSK-së që gradohen sot, ju uroj suksese në karrierën e tyre.“Jeni shembull për komunitetin tuaj, por jeni shembull edhe për të gjithë Kosovën. Shtetin tonë e ndërtojmë me punë, me angazhim, me profesionalizëm, me bashkëpunim në mes të gjithë neve”, theksoi presidenti Thaçi. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.