DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi shpreh mbështetje për Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në inaugurimin e objektit të ri të Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas.

Në këtë inaugurim, pjesë e të cilit ishin edhe ish-presidentja Jahjaga, ambasadorja turke Kivilcim Kiliç, ambasadori amerikan Greg Delawie dhe ambasadori britanik Ruairi O’Connell, presidenti Thaçi i përgëzoi aktivistet e shoqatës për hapjen e zyrave të reja. Duke lavdëruar punën e qendrës, presidenti Thaçi u shpreh se “puna e qendrës hedh dritë mbi një të vërtetë të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe kërkon që e tërë shoqëria të përballemi me këtë të vërtetë”. Ai shtoi se është obligim i shoqërisë që të krijojë kushte që gruaja të arsimohet, të punësohet, të zhvillohet e të jetojë e pacenuar, e barabartë me gjininë tjetër. “Nuk ka dyshim që shoqëria jonë është duke bërë hapa të mëdhenj përpara. Jemi vendi i parë në rajon që ka pasur një presidente. Kemi gra që udhëheqin në qeveri, në KQZ, në Gjykatën Kushtetuese, në komuna, të cilat përballen me detyra dhe angazhime për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Kemi mjeke të zonja, gazetare, shkencëtare, mësuese e arsimtare, profesoresha e artiste dhe me punën e tyre, me suksesin e tyre, krenohemi të gjithë”, ka thënë presidenti Thaçi. Emancipimi dhe fuqizimi i gruas, njohja dhe mbështetja e kërkesave të gruas, përkrahja e grave viktima dhe e të gjitha grupeve të cenueshme, presidenti Thaçi ka thënë se do të jenë pjesë e angazhimit të tij si president. “Shoqëria jonë do të jetë vërtetë e lirë, e barabartë, e drejtë, vetëm atëherë kur çdo grua kosovare do të jetë e barabartë, e lirë dhe do të trajtohet me drejtësi nga të gjithë në Kosovë”, u shpreh presidenti Thaçi. Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas është themeluar në vitin 2013 dhe ka gjithsej mbi 100 anëtare, viktima të luftës civile në Kosovë. Ndërtimi i objektit të ri të inauguruar, i cili ka 15 zyre, u përkrah nga Komuna e Drenasit, FSK-ja, ambasada amerikane, britanike dhe turke.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.