presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi priti Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës së Botës Myslimane, Muhammad bin Abdul Karim Al-Issa

Prishtinë, 14 mars 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës së Botës Myslimane, Muhammad bin Abdul Karim Al-Issa.

Kreu i shtetit e falënderoi sekretarin Muhammad bin Abdul Karim Al-Issa për vizitën dhe për mbështetjen që Arabia Saudite i ka dhënë Kosovës.
 
“Duke marrë parasysh ndikimin e veçantë që shteti saudit ka tek shtetet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), organizatë kjo që ka në radhët e saj 57 shtete anëtare, Republika e Kosovës ju është shumë mirënjohëse për përpjekjet e vazhdueshme të lobimit tuaj për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet anëtare të OBI-it, që ende nuk e kanë bërë këtë”, ka thënë presidenti Thaçi
 
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës Myslimane, Muhammad bin Abdul Karim Al-Issa, u shpreh se kauza e Kosovës për pavarësi ka qenë e drejtë dhe se është turpëruese që disa shtete islamike nuk e kanë njohur Kosovën, gjë që, sipas tij, ndikon edhe tek shtete të tjera në gjithë botën.
 
“Kosova është model për tolerancën, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin në mbarë botën, vlera këto të kultivuara nga OBI dhe të cilat gjithsesi do të ndikojnë në njohjen e Kosovës nga shtetet anëtare të mbetura të kësaj organizate”, ka thënë Karim Al-Issa.
 
Presidenti Thaçi u shpreh mirënjohës për zotimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ligës së Botës Myslimane për angazhime të intensifikuara në përkrahje të konsolidimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.