presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi priti Ministrin e Shtetit për Forca të Armatosura të Britanisë së Madhe, flasin për FSK-në

Prishtinë, 30 nëntor 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur Ministrin e Shtetit për Forca të Armatosura të Britanisë së Madhe, Mark Lancaster.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar ministrin britanik Mark Lancaster për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

“E vlerësojmë shumë përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Kosovën. Pa ndihmën tuaj dhe të shteteve të tjera mike, Kosova nuk do të arrinte të forconte subjektivitetin e saj ndërkombëtar”, u shpreh presidenti Thaçi.

Me Ministrin e Shtetit për Forca të Armatosura të Britanisë së Madhe, Mark Lancaster , presidenti Thaçi ka folur edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe procesin e transformimit të saj në Forca të Armatosura të Kosovës.

Ndërsa, ministri britanik Mark Lancster, i cili më herët kishte shërbyer edhe si ushtar i KFOR-it në Kosovë, u shpreh i impresionuar me zhvillimet pozitive dhe ndryshimet në Kosovë.

“Kosova ka bërë një punë shumë të mirë për integrimin e komuniteteve dhe Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritur standarde të larta”, ka thënë ministri Lancaster.

Duke folur për zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor, ministri Lancaster theksoi se Britania e Madhe e mbështetë vazhdimin e dialogut të Kosovës me Serbinë në Bruksel, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.