Prishtinë, 25 korrik 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot ambasadorin jorezident të Suedisë, Mats Staffansson.
Ambasadori Staffansson në këtë takim e njoftoi presidentin Thaçi se Suedia ka vendosur që të rris përfaqësimin e saj në Kosovë dhe se prej shtatorit do të ketë ambasador të Suedisë në Prishtinë. Presidenti Thaçi e mirëpriti këtë lajm të mirë dhe shprehu mirënjohje për këtë vendim të rëndësishëm për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Suedisë. “Ju faleminderit për vlerësimin që i bëni marrëdhënieve tona. Suedia ka qenë dhe mbetet vend mik i Kosovës”, tha presidenti Thaçi. Ambasadori Staffansson u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin e tij me autoritetet kosovare. “Urime për njohjen e re të shtetit të Kosovës”, tha ambasadori Staffansson, i cili presidentit Thaçi i shprehu ngushëllime edhe për humbjet tragjike të jetëve të qytetarëve me prejardhje nga Kosova në sulmet në Mynih. Presidenti Thaçi e falënderoi ambasadorin Staffansson për përkrahjen dhe për bashkëpunimin e tij të deritashëm. Suedia ka ambasadë në Kosovë, por deri më tash ambasador për Kosovën dhe për Shqipërinë ka qenë ambasadori i Suedisë në Shkup, kurse prej shtatorit do të ketë ambasadorin e saj në Kosovë.