Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë të publikuar sot në të përditshmen austriake “Tiroler Tageszeitung”, ka folur për të arriturat e Kosovës, prioritetet e tij, dialogun me Serbinë dhe Gjykatën Speciale.
26 prill 2016
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë të publikuar sot në të përditshmen austriake “Tiroler Tageszeitung”, ka folur për të arriturat e Kosovës, prioritetet e tij, dialogun me Serbinë dhe Gjykatën Speciale.
Duke folur për të arriturat e Kosovës, Thaçi ka theksuar se Kosova është diskriminuar me dekada dhe ka vuajtur nga represioni. “Më 1999, pas luftës, Kosova e shkatërruar në të gjitha aspektet, duhej të fillonte të rindërtohej. Tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nënshkroi Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me Bashkimin Evropian. Ajo njihet nga 111 shtete dhe është anëtare e organizatave të ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.
Ai është pyetur edhe për procesin e dialogut dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, për të cilën presidenti Thaçi ka pohuar se normalizimi i marrëdhënieve, dialogu dhe pajtimi nuk kanë alternativë.
“Si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, kryeministrat të cilët udhëhoqën dialogun fituan sërish në zgjedhjet e përgjithshme, duke dëshmuar se popullsia mbështet procesin e dialogut”, ka shtuar Thaçi.
Ai ka ritheksuar se procesi i dialogut duhet të bëhet më dinamik, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje kornizë për pajtim, por dinamikë, sipas tij, duhet të ketë edhe në zbatimin e marrëveshjeve për të cilat ka dakordim deri më tani.
Thaçi ka folur edhe për Gjykatën Speciale, duke thënë se e ka udhëhequr procesin e themelimit të saj. “E di se lufta për lirinë e Kosovës ishte një kauzë e drejtë dhe një luftë e drejtë. Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë shkelur ndonjë ligj, me përjashtim të ligjeve të Sllobodan Millosheviqit. Gjykata Speciale është një mundësi për Kosovën për t’i shpjeguar botës këtë të vërtetë”, ka thënë Thaçi për Tiroler Tageszeitung.
I ardhur në postin e presidentit si politikani kryesor në vend, Thaçi ka thënë se do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, etnike apo fetare.
“Do të mbajë kontakt me të gjitha partitë politike për të ndërtuar ura të komunikimit midis të gjithë spektrit politik”, ka thënë Thaçi.
Link: http://www.tt.com/politik/11421638-91/hashim-thaci-es-gibt-keine-alternative-zum-dialog.csp