presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi nisë ndryshimin e ligjit për FSK-në, Ushtria e Kosovës po bëhet realitet

Prishtinë, 5 mars 2017 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë ushtarake të FSK-së në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, e cila u organizua për nder të manifestimit treditorë “Epopeja e UÇK-së”.

Presidenti Thaçi tha se kjo është ngjarja më heroike e qëndresës së popullit tonë për liri tash e 19 vjet.“Si asnjëherë më parë, më 5 mars 1998 u zhvillua një luftë e pabarabartë në armatim dhe në njerëz. Familja Jashari u përball me një makineri të pafund shtetërore ushtarake dhe policore serbe. Veterani i arsimit Shaban Jashari, komandanti legjendar Adem Jashari, komandanti i orëve të para Hamëz Jashari, gra, vajza e djem të rinj me vendosmëri të paparë i qëndruan rrethimit deri në flijim. Kjo rezistencë ka hyrë në analet e historisë së kombit tonë si ndër sakrificat më madhore”, u shpreh presidenti Thaçi.Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës pas ditëve të Epopesë u sprovua në shumë beteja, ofensiva me fitore dhe situata në të cilat u vërtetua se ajo nuk mund të mposhtej në asnjë rrethanë.“Ishte pikërisht kjo vendosmëri, e cila çështjen e Kosovës e ngriti në nivelet më të larta të diplomacisë botërore. Ishte rezistenca gjithë popullore e të gjitha shtresave të shoqërisë sonë që njëherë e përgjithmonë kishte hyrë në rrugën e lirisë”, u shpreh presidenti Thaçi.Si asnjë ngjarje tjetër, presidenti Thaçi tha se Epopeja e Prekazit u shndërrua në forcë mobilizuese për të gjithë ata atdhetarë që me shekuj kishin pritur momentin për t’u vënë në radhët e një organizate ushtarake autentike shqiptare.Duke iu drejtuar të pranishmëve, presidenti Thaçi tha se sot përpara nesh janë të rreshtuar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.“Për mua si Komandant Suprem dhe mbi të gjitha për ju qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës, këta janë ushtarët dhe oficerët e Ushtrisë së Republikës së Kosovës”, theksoi ai.Në përputhje me rekomandimet e procesit të Rishikimit të Sektorit të Sigurisë, asokohe si kryeministër, presidenti Thaçi rikujtoi se kishte paralajmëruar themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.Si president, ai tha se do donte shumë që procesi i transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës të ndodhte ashtu siç janë përpjekur gjatë këtyre tre vjetëve, përmes një procesi transparent të përcjellë me ndryshime kushtetuese, por një gjë e tillë nuk është arritur të bëhet.“Kushtetuta moderne e Kosovës, mua si Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë së Kosovës më jep kompetenca të mjaftueshme për të ndërmarrë iniciativën për të ndryshuar ligjin e FSK-së”, u shpreh ai.Duke iu drejtuar ushtarëve të FSK-së, presidenti Thaçi e bëri të qartë se shumë shpejt, brenda kompetencave të tij kushtetuese, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme ligjore që transformimi i shumëpritur i themelimit të Ushtrisë së Kosovës të bëhet realitet edhe nëpërmjet ndryshimit të ligjit për FSK-në.Me qëllim të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së interesave shtetërore, presidenti tha se Republika e Kosovës duhet të avancojë rolin dhe detyrat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.“Ashtu siç presin të gjithë qytetarët e Kosovës, nëpërmjet Ligjit të ri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë për mision që të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, qytetarët dhe komunitetet, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës, si dhe të kontribuojë në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global”, theksoi presidenti Thaçi.Ky ndryshim në misionin dhe detyrat e reja që do t’i marrë FSK-ja në përputhje me ligin e ri, sipas presidentit Thaçi, e bëjnë FSK-në një ushtri moderne, profesionale, me karakter mbrojtës, e cila do të dizajnohet për të mbrojtur qytetarët e Kosovës dhe do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes në rajon dhe në botë, sa herë që Kosovës i kërkohet të jap kontributin e saj në këtë drejtim.“Ky transformim i natyrshëm ligjor është krejtësisht kushtetues dhe i domosdoshëm, në mënyrë që FSK-ja të fillojë edhe zyrtarisht procesin e anëtarësimit në NATO. Prandaj, ftoj shtetet anëtare të NATO-s që të vazhdojnë të ndihmojnë FSK-në ashtu siç kanë bërë deri më tani”, shtoi presidenti Thaçi.Presidenti theksoi se misioni i NATO-s, respektivisht i KFOR-it në Kosovë do të vazhdojë të funksionojë si zakonisht dhe ky transformim nuk do të ketë implikim në misionin dhe detyrat e KFOR-it në Kosovë.Në fund, presidenti Thaçi i ftoj qytetarët e Kosovës që të kenë besim në shtetin e tyre, si dhe tërë spektrin politik që të bashkohet në çështjet e interesit shtetëror dhe ta dëshmojmë këtë me veprime konkrete.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.