DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi në Kalabri: Trashëgiminë e pasur arbëreshe do ta ruajmë bashkë

Kalabri/Kozencë, 23 qershor 2017 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vizitën zyrtare në Kalabri e ka nisur me takimin e përbashkët me udhëheqësit e Kozencës dhe kryetarët e Bashkive Arbëreshe të Kalabrisë të mbajtur në pallatin e Provincës së Kozencës.

Prefekti i Kozencës, Gianfranco Tomao, tha se ndjehet i privilegjuar që ka mysafir në Provincën e Kozencës presidentin Thaçi.

Ai theksoi se Kalabria është tokë e kulturës së 23 komuniteteve kalabreze, ndërkaq kultura arbëreshe është unike në kulturën njerëzore.

“Vizitat e tillë i kontribuojnë ruajtjes së identitetit arbëresh dhe integrimit në shoqërinë italiane”, u shpreh Prefekti i Konzencës, Gianfranco Tomao.

Duke folur për kontributin e Italisë për Kosovën, ai tha se ushtarët italianë nuk bënë vetëm luftë për Kosovën, por ata bënë edhe paqen në kuadër të KFOR-it.

Presidenti Thaçi falënderoi autoritetet e Kozencës dhe gjithë qeveritë italiane për kontributin që kanë dhënë për Kosovën në periudhën e luftës dhe të pasluftës.

“U jemi veçanërisht mirënjohës autoriteteve të Kozencës për strehimin e refugjatëve të Kosovës në periudhën e luftës”, tha ai.

Presidenti theksoi se Italia përveç që ka njohur shtetit e Kosovës ndër të parët, ajo ka ndihmuar shumë edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Me udhëheqësit e Kozencës dhe kryetarët e Bashkive Arbëreshe të Kalabrisë, presidenti Thaçi ka diskutuar edhe për trashëgiminë e pasur arbëreshe dhe për format e mundshme të bashkëpunimit institucional dhe kulturor në mënyrë të ndërsjellë.

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.