Sarajevë, 29 maj 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, po merr pjesë në samitin dyditor të liderëve të rajonit në Sarajevë, në kuadër të Procesit të Bërdo-Brijunit.
Në këtë samit po marrin pjesë presidentët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.Në seancën plenare, presidenti Thaçi u shpreh se samiti po mbahet në një moment të rëndësishëm për rajonin, meqë komunikimi mes shteteve dhe popujve është realitet dhe tani duhet të bëhen hapat tjerë të domosdoshëm.“Është koha për një hap të ri, atë të ndërtimit të besimit mes popujve dhe vendeve të rajonit tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.Duke folur për rëndësinë e takimeve si ky i samitit, presidenti Thaçi theksoi se “forumet si samiti në kuadër të Procesit Bërdo-Brijunit janë platforma ku ne zotohemi se do të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, se do të mbështesim sinqerisht njëri-tjetrin, por edhe tërë rajonin në ndërtimin e së ardhmes më të mirë për të gjithë”.Presidenti Thaçi tha se rajoni tanimë ka udhërrëfyesin për të ardhmen më të mirë për rajonin.“Pajtim, mirëbesim, miqësi, bashkëpunim, integrim”, këto janë e ardhmja e rajonit, ka thënë presidenti Thaçi.Këtë vit, mysafir i nderit ishte Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella.Kryesuesi i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, si nikoqir i samitit, duke hapur mbledhjen plenare, tha se është përgjegjësi e liderëve politikë që jo vetëm të takohen, por edhe të përmirësojnë marrëdhëniet mes vendeve.Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, si një nga bashkë-organizatorët e samitit, u shpreh se Evropa është e preokupuar me problemet e saj të brendshme, prandaj shtetet e Ballkanit Perëndimor vetë duhet të kërkojnë mënyra për të përmirësuar bashkëpunimin dhe integrimin e rajonit.Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, si bashkë-organizatore tjetër e samitit, filloi duke i dëshiruar mirëseardhje presidentit Thaçi dhe presidentit Mattarella.“I dëshiroj mirëseardhje presidentit Thaçi, i cili është këtu për herë të parë”, tha Grabar-Kitaroviq.Në fjalimin e saj, ajo theksoi se është e vërtetë që Evropa është duke u përballur me kriza, duke filluar nga pikëpyetjet për atë se çfarë janë vlerat evropiane e deri tek Brexit, por, sipas saj, kjo e bënë edhe më të nevojshme bashkëpunimin.Në samit u diskutua edhe për avancimin e bashkëpunimit rajonal përkundër sfidave që i ka rajoni, si refugjatët, radikalizmi e ekstremizmi, si dhe “lodhja” e BE-së me zgjerimin.Samiti përfundoi me Deklaratën e Përbashkët, me të cilën krerët e shteteve të rajonit u zotuan për dialog, mirëkuptim, pajtim dhe besim. Gjithashtu, në këtë deklaratë theksohet edhe përkushtimi për të bashkëpunuar në ballafaqimin me sfidat që e kërcënojnë rajonin dhe për të evituar armiqësitë e shekullit të kaluar, për barazi dhe zhvillim dhe për të përkrahur njëri-tjetrin në proceset integruese.Pjesëmarrës në samit ishin edhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, presidenti serb, Tomisllav Nikolliq, Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, sikurse edhe presidenca boshnjake.Samiti i Bërdo-Brijunit është një nismë e presidentëve të Sllovenisë dhe të Kroacisë, si dy shtete anëtare të BE-së, i cili synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nxitjes së dialogut politik të rajonit të Ballkanit dhe BE-së.