presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi në 20 vjetorin e ATK-së kërkon më shumë angazhim për luftimin e informalitetit fiskal

Prishtinë, 17 janar 2020 – Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në shënimin e 20 vjetorit të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se njëzet vjet më parë, me vendimin për themelimin e Administratës Tatimore i vendosëm themelet e strukturës që mundëson grumbullimin e tatimeve në të gjithë Kosovën.“Administrata Tatimore e Kosovës është ndërtuar nga zeroja, sikur shumë institucione tjera të Republikës së Kosovës, por që kanë arritur suksese kolosale sot. Fillimisht, bashkërisht me partnerët ndërkombëtarë është dashur të ndërtojmë kornizën ligjore, t’i ngrisim kapacitetet, të edukohen pastaj edhe qytetarët për pagesë. Por, më e rëndësishmja, është dashur të ndërtohet besimi i qytetarëve të Kosovës te ATK-ja”, u shpreh presidenti Thaçi.Kreu i shtetit i ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë për përkrahjen e tyre, veçanërisht USAID-in, Bashkimin Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.“Ndihma juaj ka qenë dhe mbetet qenësore për suksesin e ATK-së. Por, një falënderim të madh e meritojnë të gjithë vendorët, pra kosovarët që kanë punuar në këto 20 vjet, në periudha të ndryshme, edhe gjatë periudhës së administratës së UNMIK-ut, por edhe në periudhën e Kosovës së pavarur dhe sovrane”, ka thënë presidenti Thaçi.Presidenti Thaçi theksoi se ATK-ja sot funksionon në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, duke ofruar shërbime për tatimpaguesit dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.“Natyrisht që kanë mbetur ende sfida, por edhe probleme që duhet të tejkalohen, duhet të zgjidhen, për çka kam besim të plotë te autoritetet udhëheqëse të mbështetura nga të gjitha institucionet relevante shtetërore dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. ATK-ja është në rrugë të mirë, ka arritur shumë dhe është në rrugë që të arrijë edhe më tepër. Kjo vetëm sa do ta forcojë shtetin e Kosovës, ekonominë e Kosovës dhe besimin qytetar”, u shpreh presidenti Thaçi.Në fund, presidenti Thaçi ua uroi 20 vjetorin e ATK-së të gjithë punëtorëve të këtij institucioni, duke kërkuar angazhim edhe më të madh nga ana e tyre për luftimin e informalitetit fiskal.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.