presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi kërkon dënimin e kriminelëve serbë që kryen gjenocid në Kosovë

Prishtinë, 17 janar 2020 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë sot pjesë në Konferencën Vjetore të Prokurorëve të Kosovës.

Duke i përgëzuar prokurorët për punën dhe duke i inkurajuar për profesionalizëm dhe pavarësi nga ndikimet e jashtme, presidenti Thaçi ka folur për mosdënimin e kriminelëve serbë që kryen krime makabre ndaj popullatës civile në Kosovë.Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova ka kaluar nëpër sisteme të drejtësisë në faza të ndryshme tash e mbi 20 vjet, ndërsa ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me mungesën e vendosjes së drejtësisë për viktimat e luftës.Këtu presidenti Thaçi ka përmendur misionet për sundimin e ligjit që kanë qenë në Kosovë, duke përfshirë UNMIK-un, EULEX-in dhe paralelisht me to edhe Tribunalin e Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi, të cilat theksoi se nuk kanë bërë mjaft për dënimin e kriminelëve të Serbisë për vrasjet masive me qëllim të spastrimit etnik dhe as për dhunimin e mbi 20 mijë grave shqiptare.Ky neglizhim, sipas presidentit Thaçi, përbën amnistim të këtyre krimeve nga drejtësia ndërkombëtare.“Ne jemi dëshmitarë që ka rreth 13 mijë civilë shqiptarë të vrarë nga shteti i Serbisë, rreth 20 mijë gra të dhunuara dhe rreth 1300 fëmijë të vrarë, si dhe rreth 400 masakra të evidentuara. Të gjithë e dinë dhe askush nuk mund ta mohojë që ka pasur lëshime në procesin e ndjekjes së fajtorëve, ashtu siç ka pasur edhe një selektim etnik, ku Kosova edhe pse ka qenë viktimë është ndjekur e hetuar më shumë sesa Serbia, që ka qenë agresori që ka kryer gjenocid dhe spastrim etnik. Lirisht mund të them se Kosova është hetuar më shumë sesa krimet e luftës së dytë botërore”, ka thënë presidenti Thaçi.Kreu i shtetit ka thënë se këto lëshime e kanë rënduar arritjen e paqes, pajtimin dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.Presidenti Thaçi i ka inkurajuar prokurorët që të qëndrojnë larg ndikimit politik, por edhe larg ndikimit diplomatik.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.