DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi: Me bursa studimore, MCC-ja po zbutë pabarazinë në sektorin e energjisë

Prishtinë, 20 shkurt 2019 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në konferencën e MCC-së “Women in Energy Scholarship Program”, ku për vajza u hapë periudha e aplikimit për bursa studimore në SHBA, në sektorin e energjisë.

Presidenti Thaçi ka thënë se në vitet e pas pavarësisë kemi investuar afër 200 milionë euro në renovimin e objekteve shkollore dhe kemi përmirësuar dukshëm infrastrukturën shkollore.“Kemi rritur rrogat e punëtorëve në arsim që të kenë të ardhura sa më të dinjitetshme dhe mbi mesataren e rajonit”, ka thënë presidenti Thaçi.Megjithatë, sipas tij, ne jemi dëshmitarë të dy momenteve të mosbalancimit në arsim dhe tregun e punës.“E para, në një anë kemi papunësi të madhe. Ndërsa, në anën tjetër, shumë kompani ankohen se nuk po gjejnë ekspertë dhe punëtorë të kualifikuar. Dhe e dyta, në disa sektorë gratë kosovare kanë më pak mundësi punësimi sesa burrat. Ekziston një diskriminim që fillon që nga arsimi apo edhe në familje, si dhe shohim disa degë të tëra fakultetesh që kanë mungesë të vajzave studente. Prandaj po gëzohem që sot Fondacioni i Mileniumit të Kosovës së bashku me MCC-në po ndërmerr një hap për t’i adresuar këto dy çështje”, ka thënë presidenti Thaçi.Kreu i shtetit ka thënë se MCC-ja ka ndarë një milion euro për bursa për vajzat dhe gratë e Kosovës që të studiojnë në Amerikë.Në këtë mënyrë, ai ka thënë se do t’i ndihmohet ekonomisë sonë të ketë më shumë ekspertë të energjisë, në kohën kur Kosova po përgatitet për investime të mëdha në sektorin e energjisë.“Po ndihmoni vajzat dhe gratë kosovare të kenë një shans të zbusin pabarazinë në sektorin e energjisë, ku 90 për qind e të punësuarve janë meshkuj. Si President i Republikës dhe nënshkrues i marrëveshjes në mes Kosovës dhe MCC-së, jam krenar që sot po shoh rezultatet e para të kësaj marrëveshjeje. Jam i gëzuar që këto fonde do të prekin jetën e shumë vajzave dhe grave që do të bëhen lidere në sektorin e energjisë”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi ka shtuar se ndihma gjeneroze e MCC-së, e USAID-it apo edhe e ushtrisë amerikane do të arrijë qëllimin vetëm nëse Kosova është në paqe me vetveten dhe me fqinjët e saj.“Asnjë investitor nuk vjen në një rajon ku flitet për luftë apo për tensione. Asnjë vend i ri i punës nuk krijohet nëse nuk u përkushtohemi parimeve të tregut të lirë, të bashkëpunimit rajonal, por edhe parimeve të luftimit të korrupsionit. Ëndrra përfundimtare e Kosovës, shtet i suksesshëm e prosperues, që e ndajmë së bashku me aleatët amerikanë, realizohet vetëm nëse dalim nga status quo-ja. Prandaj uroj që ky projekt dhe këto investime të MCC-së në popullin e Kosovës të plotësohen, të rriten dhe të shumëfishohen duke punuar në realizimin e objektivave të përbashkëta që kemi me qeverinë amerikane”, ka thënë presidenti Thaçi.Gjatë ditës, presidenti Thaçi ka pritur edhe një delegacion të lartë të MCC-së, në krye me Zëvendëspresidenten e Kongresit dhe Çështjeve Publike, Karen Sessions, si dhe udhëheqësin për Evropë, Azi, Pacifik dhe Amerikë Latine në MCC, Jonathan Brooks.Presidenti Thaçi i ka falënderuar ata për mbështetjen që MCC-ja i ka dhënë Kosovës për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies sociale.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.