DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi: Kosova ka perspektivë të qartë evropiane

Prishtinë, 28 shkurt 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, si dhe komisionerin Johannes Hahn.

Presidenti Thaçi ka thënë se prezenca e sotme e delegacionit më të lartë të Bashkimit Evropian në Kosovë është dëshmi e qartë e përkushtimit të rritur të BE-së për Kosovën dhe për të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. “Vizita e juaj i jep kuptim të plotë dhe mbështetje të palëkundur përpjekjeve tona dhe të qytetarëve tanë për të bërë hapa të shpejt dhe të vendosur në rrugën tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, u shpreh presidenti Thaçi. Ai ka thënë se së bashku me kryeparlamentarin Veseli, kryeministrin Haradinaj, zëvendëskryeministrin Pacolli, kanë zhvilluar një takim mjaft përmbajtjesor dhe produktiv me Presidentin e Komisionit Evropian dhe delegacionin e BE-së. “Në emër të qytetarëve të Kosovës, unë i përcolla presidentit Juncker dhe anëtarëve të delegacionit të lartë të BE-së mesazhin se në dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë, Kosova është krenare dhe mirënjohëse që procesi ynë i shtetndërtimit është bërë në përputhje të plotë me vlerat dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian. Vlerat evropiane janë të mishëruara në shoqërinë tonë dhe rrjedhimisht në Kushtetutën e ligjet tona. Prandaj, BE-ja është pjesë përbërëse e historisë sonë të re, përkushtim i sotëm dhe synim i pashmangshëm i së ardhmes sonë”, ka thënë presidenti Thaçi. Ai ka shtuar se pa dyshim se kemi shumë për të bërë, por kjo është një agjendë e përbashkët, agjendë që është pjesë e strategjisë së sapo publikuar të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo strategji, ndër të tjera, sipas presidentit Thaçi, ka rikonfimuar dy gjëra tepër të rëndësishme. Së pari, presidenti Thaçi ka thënë se ka konfirmuar të ardhmen e sigurt për anëtarësimin e Kosovës në BE, ashtu siç e ka bërë edhe për të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. “Lidhur më perspektiven tonë evropiane, unë e bëra të qartë se ne nuk jemi duke kërkuar ndonjë rrugë të shkurtër, mirëpo vetëm presim trajtim të barabartë dhe qartësi në rrugën tonë përpara, sepse jam i bindur se kjo do të rezultojë me stabilitet, paqe dhe bashkëpunim për të gjithë rajonin”, ka thënë ai. Së dyti, sipas presidentit Thaçi, kjo perspektivë e anëtarësimit në BE është e kushtëzuar me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese ndërshtetërore ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor. “Kosova është plotësisht e përkushtuar ndaj këtyre dy qëllimeve dhe detyra jonë është që si hap të parë të sigurojmë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe natyrisht, të punojmë me përkushtimin më të lartë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja përmes një marrëveshjeje përfundimtare”, ka thënë ai. Me delegacionin e lartë të BE-së, presidenti Thaçi ka thënë se kanë diskutuar edhe për liberalizimin e vizave, një çështje tepër emergjente kjo në rrugën tonë evropiane. “Besoj se të gjithë e kemi të qartë se pse sot Kuvendi i Kosovës nuk arriti të ratifikoj marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi. Nuk do të komentoj këtu asgjë, sepse jam i bindur që marrëveshja do të ratifikohet në ditët e ardhshme. Dhe në momentin që kjo të ndodhë, unë jam i bindur se presidenti Juncker, të gjithë bartësit e institucioneve të tjera të Bashkimit Evropian, do të bëjnë punën e tyre, do t’i marrin vendimet e tyre të duhura dhe do t’i japin fund izolimit të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi. Ndërsa, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka thënë se strategjia që kanë botuar më 6 shkurt mbulon gjithë Ballkanin Perëndimor dhe kërkon të thellojë bashkëpunimin me të gjithë partnerët e rajonit, duke përfshirë edhe Kosovën.Ai ka thënë se Bashkimi Evropian në radhë të parë është një bashkim vlerash.“Kosovarët do të gjejnë kështu një të ardhme më të sigurt në Evropë. Është esenciale që kuvendi i juaj të votojë së shpejti demarkacionin e kufirit të përbashkët me Malin e Zi. Është një hap kyç, i pashmangshëm, i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave, ku bashkëqytetarët tuaj shqiptarë e serbë do të jenë përfituesit e parë”, ka thënë ai.I pari i Komisionit Evropian ka thënë se nuk është fare i kënaqur, që kosovarët janë të vetmit në rajon dhe në Evropë që nuk mund të udhëtojnë lirshëm.“Ata janë qytetarë si të tjerët dhe duhet të kenë të njëjtat të drejta, me kusht që demarkacioni të zgjidhet. Gjithashtu, të arrihen edhe hapa konkret në luftën kundër trafiqeve, në luftën kudër korrupsionit. Ne duam që marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë të vihen në një bazë të re. Është themelore që kosovarët dhe serbët të gjejnë një pajtim midis tyre, e cila do të jetë juridikisht detyruese për të ecur së bashku drejt Evropës”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi ka theksuar se presidentin Juncker dhe delegacionin e lartë të BE-së e kanë informuar edhe për përkushtimin e institucioneve dhe për rezultatet në kuadër të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Puna jonë nuk do të ndalet tani, nuk do të ndalet gjatë periudhës në vazhdim dhe as pas liberalizimit të vizave”, ka thënë presidenti Thaçi. Pas konferencës së përbashkët të dy presidentëve, delegacioni i lartë i BE-së i kryesuar nga Presidenti i Komisionit Evropian kanë organizuar edhe një bashkëbisedim të hapur me shoqërinë civile, përfaqësuesit e mediave dhe përfaqësuesit e subjekteve politike. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.