presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi: Koha të festojmë, por edhe të mendojmë për përgjegjësitë tona

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.

Pasi falënderoi përfaqësuesen e BE-së për këtë vizitë të menjëhershme pas rekomandimit për liberalizimin e vizave, presidenti Thaçi tha se sot jemi së bashku për të dhënë mesazhe të qarta të përgjegjësive tashmë evropiane të Kosovës. “Është një momentum i ri për Kosovën në këtë kohë kur kemi tejkaluar situata të pakëndshme politike. Tanimë kemi një stabilitet, një funksionim normal të institucioneve dhe natyrisht se, pas fuqizimit të MSA-së, do t’i marrim përgjegjësitë edhe sa i përket rekomandimit për liberalizimin e vizave. Është kënaqësi për ne që të jemi në fund pjesë edhe zyrtarisht e gjeografisë politike evropiane”, tha presidenti Thaçi. Ai theksoi se progresi i Kosovës është jashtëzakonisht i madh dhe kritere të rëndësishme edhe për rekomandimin për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian, kanë qenë përpjekjet dhe puna e suksesshme në luftë kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, nga institucionet e vendit së bashku me EULEX-in. “Tani mund të festojmë, por edhe duhet të mendojmë për përgjegjësitë tona. Jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë edhe më tepër dhe do të bëjmë”, ka shtuar presidenti Thaçi. Ndërsa, përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, tha se kjo është më të vërtetë një javë e lumtur, por tani nuk është koha vetëm për të festuar, por edhe për të shikuar përpara. “Ishte shumë e rëndësishme për mua ta zhvilloja këtë takim me presidentin, sepse ky është momenti kur Kosova duhet të bashkohet rreth agjendës evropiane. Kur vendi arrin të bashkohet në përgjegjësitë institucionale, atëherë arrihen rezultate për qytetarët e tij”, tha Mogherini, duke shtuar se beson që gjatë mandatit të saj “do të shohim hapa të rëndësishëm pozitivë të shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, ku në mesin e tyre është edhe Kosova”. Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, theksoi se për BE-në është shumë i rëndësishëm edhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve me Serbinë. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, presidenti Thaçi tha se na pret edhe shumë punë, por si parakusht gjithsesi që është implementimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani, por edhe i përgjegjësive që dalin nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili obligon institucionet e Kosovës të themelojnë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.