DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi informon kabinetin qeveritar për procesin e dialogut

Prishtinë, 29 qershor 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka informuar kabinetin qeveritar për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi ka thënë se procesi i dialogut mbështetet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat gjatë çdo raundi të bisedimeve e kanë gjithmonë përfaqësuesin e tyre në Bruksel, për të koordinuar procesin me palët e përfshira dhe për t’i dhënë përkrahje konkrete këtij procesi.“Kështu ka qenë edhe kësaj here dhe unë kam zhvilluar dy takime pune me përfaqësuesin e SHBA-së përpara mbajtjes së takimit zyrtar. Këto takime të rregullta koordinuese me partnerin tonë kryesor strategjik, SHBA-në, si dhe me shtetet e tjera të fuqishme evropiane të cilat luajnë një rol mbështetës për këtë proces, janë tepër të rëndësishme”, u shpreh ai.Presidenti Thaçi ka paralajmëruar se puna e delegacionit të Kosovës në kuadër të këtij dialogu do të jetë transparente, me raportime të rregullta përpara qytetarëve dhe institucioneve.“Për këtë qëllim, edhe përpara nisjes në takimin e parë e kam bërë të qartë gatishmërinë time për të raportuar përpara Kuvendit të Kosovës sa herë që kërkohet një gjë e tillë”, ka thënë ai.Kreu i shtetit ka shtuar se Kuvendi i Kosovës duhet të jetë i përfshirë në këtë proces në mënyrë të drejtpërdrejtë, derisa koalicioni qeveritar, në bashkëpunim me partitë politike parlamentare, ato të opozitës dhe pozitës, do të arrijnë që të përcaktojnë modalitetet e kësaj përfshirje sa më shpejt që të jetë e mundur.“Them kështu, sepse koha është duke ecur dhe ky proces nuk mund të ndalet për shumë arsye”, ka thënë presidenti Thaçi.Konsensusi sa më i gjerë politik dhe shoqëror në këtë fazë të dialogut, sipas presidentit Thaçi, jo vetëm që do ta rriste besueshmërinë ndaj këtij procesi, por do ta forconte delegacionin e Kosovës.“Shpresoj se liderët e partive politike ta kuptojnë përgjegjësinë e tyre ndaj institucioneve shtetërore dhe mbi të gjitha, ndaj qytetarëve të vendit”, ka thënë ai.Megjithatë, presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova i ka institucionet e veta shtetërore legjitime dhe demokratike, prandaj askush nuk duhet të pretendojë të vendosë në pikëpyetje legjitimitetin kushtetues dhe ligjor të tyre.I pari i vendit ka shtuar se para nisjes në takimin e parë në Bruksel, u ka bërë thirrje publike subjekteve politike për t’iu bashkuar delegacionit të Kosovës, duke përsëritur të njëjtën gjë edhe sot.“Ejani dhe bëhuni pjesë e delegacionit të Kosovës dhe jepni dijen dhe patriotizmin tuaj, në tryezë të bisedimeve. Ky do të ishte veprimi i duhur, veprimi më racional dhe i guximshëm të cilin e presin qytetarët e Kosovës. Gjithçka tjetër, të gjitha kritikat e pabaza dhe pamatura, tregojnë vetëm shenja lodhjeje dhe mungesë të përgjegjësisë e guximit”, ka thënë presidenti Thaçi para kabinetit qeveritar.Duke folur për takimin që ka zhvilluar në Bruksel, presidenti Thaçi ka thënë se e ka bërë të qartë se Kosova është e përcaktuar dhe thellësisht e interesuar për të arritur marrëveshje përfundimtare obliguese dhe ligjore me Serbinë.“Ne kemi bërë të qartë se Kosova ka shteruar kompromiset e veta të cilat janë të konkretizuara në Planin Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari, respektivisht në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Rrjedhimisht, ne kemi thënë se hapësira për kompromise shtesë nga ana e jonë është shumë minimale”, ka theksuar ai.Presidenti Thaçi ka thënë se të dy palët e përfshira në dialog janë pajtuar për të vazhduar përpjekjet e mëtejme për të arritur marrëveshje dhe do të vazhdojnë përpjekjet që të mos lejohet rritje apo përshkallëzim i tensioneve apo provokimeve ndërshtetërore, me qëllimin e vetëm që të ruhet paqja dhe stabiliteti.“Për më tepër, të dy palët jemi krejtësisht të vetëdijshme se e ardhmja evropiane e të dy shteteve varet nga kualiteti i arritjes së marrëveshjes përfundimtare. Në rastin e Kosovës, marrëveshja përfundimtare dhe njohja eventuale nga Serbia, ka një dimension shumë të gjerë, sepse ne mendojmë se një situatë e tillë, krijon një mundësi reale për Kosovën që të bëhet edhe anëtare e OKB-së dhe të njihet nga pesë shtetet e BE-së të cilat ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë”, ka shtuar presidenti.Kosova duhet të pranojë dialogun si mjetin e vetëm për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, sipas presidentit Thaçi, sepse në rast se ne refuzojmë të bëjmë këtë dialog, atëherë BE-ja dhe partnerët tanë do të fajësojnë Kosovën për dështimin e tij.“Për më tepër, dështimi eventual i arritjes së marrëveshjes nënkupton paqe të brishtë, marrëdhënie të tensionuara ndërshtetërore të cilat do të kenë efektin e tyre negativ në rajon dhe më gjerë. Mendoj se të gjitha këto arsye dhe shumë të tjera që nuk po i përmend, na detyrojnë ne të gjithëve, që të punojmë me vendosmëri për të gjetur mënyrën dhe guximin për të arritur marrëveshje përfundimtare”, ka shtuar ai.Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova mbetet konstruktive edhe e përkushtuar për të arritur marrëveshje përfundimtare në fund të këtij procesi.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.