Halifax, Kanada, 18 nëntor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga Ministri i FSK, Rrustem Berisha, kanë takuar sot Ministrin e Mbrojtjes së Kanadasë, Harjit Sajjan, i cili është edhe nikoqir i Konferencës Ndërkobmëtare të Sigurisë në Halifax, e me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin në mes Kosovës dhe Kanadasë në fushën e mbrotjes e sigurisë.
Presidenti Thaçi ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që Kanadaja i ka ofruar Kosovës që dy dekada.
“Jemi mirënjohës për përkrahjen në ndërtimin e paqes dhe në ndërtimin e shtetit”, u shpreh Presidenti Thaçi.
“Kosova sot është promovuese e dialogut dhe paqes në rajon”, u shpreh Presidenti Thaçi dhe shtoi se “shteti i Kosovës është konsoliduar së brendshmi dhe vazhdon të konsolidohet në skenën ndërkombëtare”.
Ministri Berisha i FSK-së u shpreh se Kosova dhe Kanadaja po punojnë për thellimin e bashkëpunimit edhe në sektorin e mbrojtjes e sigurisë duke punuar në finalizimin e një Memorandumi të Bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Kanadasë.
Ministri i Mbrojtjes i Kanadasë, z. Sajjan, u shpreh se është për tu vlerësuar promovimi i komunikimit dhe dialogut si mjete për tejkalimin e konflitit dhe falënderoi Presidentin Thaçi për lidershipin e treguar.
“Promovimi i dialogut dhe paqes ju bëjnë shembull për rajon”, u shpreh Ministri Sajjan.
Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova do të mbetet mirënjohëse për përkrahjen që ka dhënë Kanadaja për shtetin dhe popullin e Kosovës dhe ftoi për thellim të bashkëpunimit në të gjithë sektorët.