DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi bën thirrje për zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot Avokatin e Popullit, Hilmi Jashari, dhe zëvendësit e tij, me të cilët bisedoi për punën dhe të arriturat e këtij institucioni të rëndësishëm.

Presidenti Thaçi e mirëpriti finalizimin e raportit vjetor të Avokatit të Popullit, që do t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës.
 
“E mirëpres raportin dhe mundësinë që Kuvendi i Kosovës të debatojë për të gjeturat e raportit”, tha presidenti Thaçi.
 
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tregoi për të arriturat e deritashme të Ombudspersonit, për sfidat me të cilat po përballet, por edhe për të gjeturat e dala nga puna e këtij institucioni.
 
“Kemi përfaqësim të duhur të të gjitha komuniteteve. Kemi marrë kompetenca të hetojmë edhe rastet e diskriminimit në sektorit privat. Do të kujdesemi që të luftojmë çdo formë të diskriminimit dhe të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kosovë”, theksoi Avokati i Popullit.
 
Presidenti Thaçi u shpreh i kënaqur me raportet e publikuara nga Avokati i Popullit dhe bëri thirrje që “rekomandimet e Ombudspersonit të merren parasysh dhe të zbatohen nga institucionet përkatëse”.
 
Në takim u bisedua edhe për fuqizimin e institucioneve dhe agjencive të pavarura.
 
“Është qenësore për funksionimin e shtetit të Kosovës që të respektohet pavarësia e institucioneve dhe agjencive të pavarura”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.