DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi: Ballkani duhet të jetë interes strategjik për BE-në, jo proces teknik

E enjte, 22 dhjetor 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim ministrin e ri për Punë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Italisë, Angelino Alfano.

Presidenti Thaçi e falënderoi ministrin Alfano për vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë dhe për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë italiane.
 
Presidenti Thaçi theksoi se Kosova ka arritur suksese të mëdha në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetësisë së vet, duke përmendur hyrjen në fuqi të MSA-së si konfirmimin më të mirë të këtyre sukseseve.
 
“Tani po punojmë për të ardhmen tonë në NATO dhe BE”, u shpreh presidenti Thaçi.
 
Ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano, duke iu referuar procesit të integrimit evropian të Kosovës, theksoi se paqja mund të arrihet vetëm përmes vlerave evropiane.
 
“Ju po e zhvilloni një proces të përfarimit me Bashkimin Evropian në momentet më të vështira të tij”, u shpreh ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano.
 
Presidenti Thaçi theksoi se Brukseli duhet t’i shikojë shtetet e Ballkanit si interes strategjik dhe jo si procese teknike për integrim.
 
“Ne ndajmë vlerat evropiane dhe jemi evropianë, mirëpo Brukseli po vonohet me ne, sikur që është rasti me liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, u shpreh presidenti Thaçi.
 
Sipas tij, Bashkimit Evropian mund t’i kërkosh çdo gjë, por jo edhe shpejtësinë, sidomos tash kur është më së shumti e nevojshme, për shkak se antievropianizmi, ekstremizmi dhe radikalizmi po rriten me hapa shumë më të shpejtë.
 
“Ne kemi konsensus politik dhe popullor kundër çdo ekstremizmi dhe radikalizmi, por edhe për përqafimin e vlerave euroatlantike”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.