presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi: Autostrada e re “Arbën Xhaferi” e bën Kosovën më evropiane

Prishtinë, 20 maj 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shikuar për së afërmi sot punimet në ndërtimin e autostradës së re Prishtinë-Hani i Elezit, sipas planit të parashtruar më herët nga Qeveria e Kosovës.

Presidenti Thaçi, i shoqëruar nga Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tha se projektet moderne si autostrada “Arbën Xhaferi” i japin kuptim edhe më modern shtetit të ri të Kosovës.“Projektet si autostrada Prishtinë-Hani i Elezit, autostrada ‘Arbën Xhaferi’, e bëjnë Kosovën më moderne, më evropiane, në veçanti pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, rekomandimit për liberalizimin e vizave, anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, si dhe pas mesazheve të Kongresit amerikan që administrata e SHBA-së ta përgatisë Kosovën për programin e NATO-s, Partneriteti për Paqe”, është shprehur presidenti Thaçi.I pari i vendit tha se nuk ka munguar asnjëherë kujdesi institucional që punimet në autostradë të vijojnë sipas agjendës së planifikuar, qoftë me mbështetje financiare apo edhe me mbikëqyrje profesionale.Ai tha se tani rriten më tepër përgjegjësitë për institucionet vendore, që të punojnë edhe më shumë për të ndryshuar Kosovën, duke shtuar se shembulli më i mirë i ndryshimit të Kosovës për të mirë është vazhdimi i këtij projekti.Presidenti Thaçi tha se po e ndërtojmë Kosovën e re, Kosovën evropiane, të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës, si dhe të rritjes së mirëqenies së qytetarëve.Ndërkaq, Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku, theksoi se punët po vijojnë mirë dhe se pret që në korrik të inaugurohet pjesa në udhëkryqin e Lipjanit, kurse deri në fund të vitit deri në udhëkryqin e fshatit Babush.Zharku tha se, sipas projektit, punimet për ndërtimin e autostradës pritet të përfundojnë në janar të vitit 2018.Ai shtoi se kostot financiare nuk paraqesin problem për realizimin e projektit të autostradës, sepse sipas kornizës afatmesme, për sivjet janë ndarë 110 milionë euro, duke shtuar se beson që me shqyrtimin buxhetor, shuma për vitin e ardhshëm do të rriten në 150 milionë euro të tjera.Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha në fund se Kosova po bëhet një udhëkryq për tërë rajonin, me këtë infrastrukturë bashkëkohore, të standardeve evropiane, qoftë në aspektin e autostradave, qoftë në ndërtimin e rrugëve rajonale, lokale apo edhe në nivel të zonave rurale.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.