DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi: Angazhimi politik dhe gjeostrategjik i BE-së, qenësor për Kosovën dhe rajonin

Bruksel, 8 shkurt – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot në takime të ndara nga Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, si dhe nga Presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani.

Në këto takime presidenti Thaçi tregoi për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe theksoi nevojën për angazhim strategjik të BE-së në Kosovë dhe në Ballkan Perëndimor.

“Jemi të përkushtuar për të ardhmen tonë evropiane dhe kemi bërë hapa të rëndësishëm që nga nënshkrimi MSA-së, mirëpo procesi i integrimit të Kosovës në BE duhet të përshpejtohet me veprime konkrete, sepse vonesat vetëm sa e dëmtojnë kredibilitetin e BE-së dhe e zbehin përkrahjen e qytetarëve të Kosovës për këtë proces”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Është qenësore për Kosovën, për tërë rajonin, që Bashkimi Evropian të mbetet i angazhuar në Ballkanin Perëndimor dhe ky angazhim të jetë politik dhe gjeostrategjik”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Përkundër sfidave aktuale të BE-së që ndërlidhen me çështjen e refugjatëve dhe të zgjerimit, në këto dy takime është konfirmuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.
 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.