Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në konferencën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Presidenti Thaçi ka thënë se përmbyllja e dialogut politik me Serbinë, me marrëveshjen ligjërisht obligative që nënkupton njohje reciproke, është interes nacional i Kosovës, prandaj është e domosdoshme që të jemi unikë në këtë proces.“Ne duam që njëherë e përgjithmonë ta qartësojmë raportin tonë si shtet me shtetin e Serbisë, gjë që mund të arrihet vetëm përmes një dialogu që do t’i ketë afatet kohore të qarta, objektivat precize, garancat dhe mbështetjen ndërkombëtare, në radhë të parë të SHBA-së dhe BE-së. Nuk kam kurfarë dyshimi që nëse këtë vit nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të hyjmë në një zonë të rrezikshme të këtyre raporteve, që mund ta destabilizojë gjithë rajonin”, ka thënë presidenti Thaçi.Ai ka theksuar se fatkeqësisht situata dhe zhvillimet e fundit nuk janë aspak premtuese dhe gjërat nuk po lëvizin fare.“Përkundër inciativave të fundit për ta zhbllokuar dialogun, rezultati është zero. Mungesa e dialogut dhe e perspektivës së arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është rreziku më i madh i mundshëm për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi ka thënë se vetëm pak javë më parë shënuam, pos tjerash, edhe me praninë e miqve të mëdhenj të Kosovës, presidentit Clinton, sekretares Albright dhe gjeneralit Clark, njëzetvjetorin e çlirimit të Kosovës, ngjarjes më të rëndësishme për ne, por edhe për mbarë botën në fund të shekullit 20-të.“Të gjithë ne që jemi këtu, e dimë që nuk mund të presim edhe njëzet vjet të tjera, për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë raporteve në mes nesh dhe Serbisë. Koha nuk është aleati ynë. Status Quo në këto raportet tona me Serbinë është e paqëndrueshme. Këtë e dëshmon shumë qartë edhe hulumtimi i juaj, sipas të cilit mbi 91% të anketuarave janë kundër status quos”, ka thënë presidenti Thaçi.Ai ka shtuar se sigurisht që keni analizuar dhe testuar edhe skenarët tjerë, por është e qartë se Asociacioni me kompetenca ekzekutive kundërshtohet fuqishëm nga qytetarët e Kosovës.“Ky është një leksion i mirë për ata që ende punojnë për këtë opsion, që të heqin dorë sa më parë nga përpjekjet e tilla të rrezikshme. Ndërsa më vjen shumë mirë, që opsioni i korrigjimit të kufirit apo demakracionit të kufirit, ka arritur përkrahjen më të madhe të qytetarëve të Kosovës, përkundër fushatës negative që kanë bërë partitë politike kundër këtij skenari”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi ka thënë se është për keqardhje që në një moment historik si ky që jemi ne, klasa politike kosovare po dështon që të bashkohet për të bërë realitet idealin e bashkatdhetarëve tanë në Luginë të Preshevës për t’iu bashkëngjitur Kosovës.“Unë në kapacitetin tim aktual si President i Kosovës e kam për detyrë morale, por edhe shtetërore, që të bëjë gjithçka për të ndihmuar realizimin e aspiratës së shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës, që t’i bashkohen Kosovës në mënyrë krejt paqësore dhe demokratike”, ka thënë Thaçi.Në fund të fjalës së tij, Thaçi ka theksuar se askush prej nesh nuk ka të drejtë që ta mbajë pezull shtetin e Kosovës dhe të mos i jep epilogun e duhur dhe të vetmin të mundshëm raporteve të Kosovës dhe Serbisë, që nënkupton marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve dhe njohjen reciproke.