DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu uroi qytetarët dhe kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu ua ka uruar qytetarëve të vendit festën e Bajramit të Vogël. Në urimin e Presidenti Sejdiu thuhet: “Të gjithë qytetarëve dhe besimtarëve të Republikës së Kosovës ua uroj festën e Bajramit të Vogël, e cila forcon besimin në Zotin, mirëkuptimin, nderimin dhe dashurinë në mes njerëzve.

Kjo festë simbolizon sakrificën për të mirën, për paqen dhe lumturinë e të gjithë njerëzve kudo në botë, duke e rritur ndjenjën e dhembshurisë dhe të bamirësisë për njerëzit që kanë nevojë për ndihmë dhe solidaritet.Sivjet, Republika e Kosovës po e shënon këtë festë me arritje të mëdha në të gjitha fushat. Përveç progresit solid ekonomik, janë shënuar rezultatet inkurajuese edhe në afirmimin e vendit tonë në botë. Pavarësia e Kosovës është njohur nga 63 shtete sovrane demokratike anekënd globit dhe ne po punojmë bashkë me miqtë tanë që të kemi njohje të reja.  Institucionet tona, ndonëse përpara nesh kemi sfida jo të pakta, janë të vendosura që ta realizojnë në tërësi synimin tonë të paluhatshëm për të qenë sa më parë pjesë e Bashkimit Evropian, e NATO-s dhe e mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë.Si përherë, ne kemi besim të plotë se miqtë tanë do të na përkrahin me tërë potencialin e tyre të madh për ta bërë sa më të shkurtë e më të lehtë udhën e integrimit, që është me rëndësi jetike për ne.Me këtë rast, në këtë prag feste, dua të rikujtoj se Republika e Kosovës, duke qenë një vend i tolerancës dhe i bashkëjetesës së shkëlqyeshme të qytetarëve që u përkasin etnive dhe besimeve të ndryshme, reflekton një kulturë të jashtëzakonshme fetare, të cilën e gjithë bota e çmon si një pasuri të veçantë të vendit tonë. Le të punojmë të gjithë së bashku me tërë dijen dhe vullnetin tonë të mirë që ky vlerësim i lartë të mos zbehet asnjëherë! Urime dhe me fat Bajrami i Vogël! Paqja dhe harmonia mbretërofshin në secilën familje të Kosovës!Zoti e bekoftë Republikën e Kosovën dhe popullin e saj!* * * Presidenti Sejdiu uroi Kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, mr. Naim TërnavaMe rastin e festës së Bajramit të Vogël, Kurban Bajramit, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu i dërgoi një telegram urimi Kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, mr. Naim Tërnava. Në vijim po e japim tekstin e këtij telegrami:I nderuari z. Naim Tërnava,Kryetar i Bashkësisë Islame të KosovësNë emër të institucioneve dhe të popullit të Republikës së Kosovës, ju shpreh urimet më të përzemërta me rastin e festës së Bajramit të Vogël.Kjo festë simbolizon sakrificën dhe besimin për Zotin, mirëkuptimin dhe dashurinë për të gjithë njerëzit, e veçmas për ata që janë në gjendje më të vështirë sociale dhe kanë nevojë për dorën e ndihmës nga shoqëria dhe institucionet e shtetit.Në këtë ditë të shënuar, ju shpreh edhe një herë, i nderuar Kryetar, vlerësimin tim për punën dhe angazhimin Tuaj të përhershëm për paqe, tolerancë dhe stabilitet në Republikën e Kosovës.Me respekt, Dr. Fatmir Sejdiu,President i Republikës së Kosovës

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.