presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu uroi Presidentin Sarkozy me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës Franceze

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu i ka dërguar një telegram urimi z.Nicolas Sarkozy, President i Republikës së Francës, me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës Franceze.

Në urimin e Presidentit Sejdiu thuhet:I nderuari President Sarkozy,Në këtë ditë të rëndësishme për Francën dhe popullin e saj, më lejoni që t’ju uroj në emër të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për 220 vjetorin e Ditës Kombëtare të Republikës Franceze.Edhe sot, në këtë përvjetor jubilar të shtetit që gjithnjë ka qenë simbol i demokracisë dhe të drejtave e lirive qytetare, qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës ju shprehin falënderimin e përhershëm për mbështetjen e madhe që Franca i ka dhënë përpjekjeve tona për liri, pavarësi dhe demokraci, si dhe për forcimin e institucioneve tona demokratike dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit tonë.Kosova, gjatë një viti e gjysmë të pavarësisë së saj, ka arritur rezultate të rëndësishme. Së fundi, jemi anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore dhe po bëjmë përpjekje të vazhdueshme për t’i arritur standardet e nevojshme, të cilat do të na mundësonin anëtarësimin e synuar edhe në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë. Ashtu siç jemi zotuar, ne do të vazhdojmë kujdesin e veçantë ndaj të gjitha komuniteteve pakicë, sepse Republika e Kosovës është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj të barabartë.Më lejoni që gjithashtu t’ju falënderoj sinqerisht për letrën tuaj të datës 19 qershor 2009, nëpërmjet të cilës Ju, i dashur President, ritheksonit përkrahjen që Republika e Francës i jep vendit tim, Republikës së Kosovës. Njëherit, kam kënaqësinë e veçantë që të pranojë ftesën tuaj që të takohemi së shpejti, në një moment të përshtatshëm që do ta përcaktojmë se bashku. Me urimet më të mira, i nderuar President, ju lus të pranoni ndjenjën time të konsideratës më të lartë.Përzemërsisht,Dr. Fatmir SejdiuPresident i Republikës së Kosovës

This site is registered on wpml.org as a development site.