President i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, me rastin e pranimit të kësaj organizate si anëtare me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Kontabilistëve.
Me këtë rast, Presidenti Sejdiu i përgëzoi anëtarët e kësaj shoqate për rezultatet e arritura, për punën e mirë që janë duke e bërë dhe për kontributin e vazhdueshëm që po japin për zhvillimin e shtetit të Kosovës. “Unë mund të them se nga pjesët e mira që Kosova i ka bërë në zhvillimet e saj të përgjithshme është qasja shumëdimensionale në të gjitha segmentet e rëndësishme.Prandaj, vijoi Presidenti, pavarësisht se ju gëzoni trajtimin apo keni statusin e pavarur, unë them se jeni jetësisht të orientuar që të bëheni pjesë kreative e punës për ecjet, për zhvillimet tona të suksesshme si shtet.Duke folur më tej për rolin e veçantë të kësaj shoqate, Presidenti Sejdiu tha se nuk mund të ketë raporte të mira të progresit për shtetin tonë, po qe se llogaria e deritashme e jona nuk është e pastër.”Asnjë raport i progresit, i zhvillimeve të përgjithshme të një shteti nuk mund të jetë i kompletuar mirë pa e pasë të pastër llogarinë e veprimeve tona të deritashme. Ju kisha lutur juve që jeni këtu, por edhe të tjerët që janë të lidhur në segmente të caktuara me ju, të jeni vrojtues objektiv, të jeni “hatri” i zhvillimit të Kosovës edhe në këtë pjesë të rëndësishme të shtetësisë. Të jeni njerëzit që bëni sinjalet më të mira në kohë, për atë se është punuar mirë dhe për atë që s’është punuar mirë. Sepse, mund të bëhen analiza edhe të segmenteve të tjera në veprimtari të ndryshme shtetërore, por kjo pjesë e rrumbullakon qoftë një vit buxhetor, një vit kalendarik, ose një bazë për ecje në vitin tjetër dhe në vitet tjera që do të vijnë”, vijoi Presidenti Sejdiu.Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu tha se nëse bëjmë projektet dhe analizat më të mira, në strukturë të mirë të ndërlidhjes me mekanizmat e shtetit, ne do t’ia dalim sikur që ia kemi dalë deri tash. Presidenti në fjalën e tij tërhoqi vërejtjen se edhe tek auditorët nganjëherë bëhet një auditim i brendshëm apo i përgjithshëm, andaj, për hirë të dikujt apo i shtyrë nga dikush për të dalë llogaria zero- zero në fund, andaj vijoi Presidenti, mos e bëni atë për hatër të askujt, as për hatrin tim, e them tash si President, as për hatër të njerëzve të qeverisë, as njerëzve të institucioneve tjera sepse mashtrohemi keq, dhe s’na del si duhet pastaj ecja tjetër.Në këtë ceremoni, Presidenti Sejdiu u nderua me titullin Anëtar Nderi i Shoqatës e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës.