Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u kthye sot nga vizita zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë. Në vizitën në Gjermani, që u bë me ftesë të presidentit Kohler, Presidentin Sejdiu e shoqëruan edhe zonja e Parë, znj. Nezafete Sejdiu, ministri i punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ministri i Ekonomisë e Financave, Ahmet Shala, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Lutfi Zharku dhe bashkëpunëtorët e tij.
Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u kthye sot nga vizita zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë. Në vizitën në Gjermani, që u bë me ftesë të presidentit Kohler, Presidentin Sejdiu e shoqëruan edhe zonja e Parë, znj. Nezafete Sejdiu, ministri i punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ministri i Ekonomisë e Financave, Ahmet Shala, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Lutfi Zharku dhe bashkëpunëtorët e tij.
Në një deklaratë të bërë në Aeroportin e Prishtinës, Presidenti Sejdiu vizitën në Republikën Federale të Gjermanisë e cilësoi si jashtëzakonisht të suksesshme dhe të një rëndësie të veçantë. “Ishte një vizitë me peshë të veçantë, një mikpritje e jashtëzakonshme dhe një konfirmim i fuqishëm i Republikës Federale Gjermane për të mbështetur Republikën e Kosovës. Kjo u reflektua edhe në takimin me Presidentin Kohler, me Kancelaren e shtetit, zonjën Merkel, me ministrin e Jashtëm Guido Westerwelle si dhe me kryetarin e Parlamentit, z. Norbert Lammert”, tha Presidenti Sejdiu.
Gjatë qëndrimit të tij në Republikën Federale të Gjermanisë, Presidenti Sejdiu pati edhe disa takime me zyrtarë dhe përfaqësues të jetës politike dhe të biznesit gjerman. “Kishim takime edhe komunitetin e biznesit, komitetin që quhet i Ekonomisë Lindore Gjermane dhe Komitetin e përbashkët të Ekonomisë Gjermano-Kosovare, por edhe me personalitete të tjera”, veçoi Sejdiu.
Vizita e Presidentit Sejdiu në Republikën Federale të Gjermanisë, solli rikonfirmimin dhe mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë për Kosovën dhe pavarësinë e saj.
“Kjo vizitë vjen në kuadër të mbështetjes së fuqishme që i jepet Kosovës. Ju e dini pozicionin e qartë të Gjermanisë dhe them se ishte një konfirmim po kështu i padilemë në mbështetjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, ashtu siç e kemi shprehur me vullnetin tonë dhe ashtu siç është njohur nga vendet më të rëndësishme të botës dhe që është shprehur njëkohësisht edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Qëndrimi i Republikës Federale sikur edhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i Francës, i Mbretërisë së Bashkuar ka qenë shumë i qartë”, tha Presidenti Sejdiu.
Gjithashtu, Presidenti Sejdiu përkujtoi se ka marrë konfirmimin për mbështetjen e gjithanshme të Gjermanisë, si dhe faktin se udhëheqësit e këtij shteti do të vazhdojnë lobimin për njohjen e shtetit të Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë.
“Po ashtu, ishte një konfirmim i veçantë për mbështetjen në kuptim të njohjeve të mëtejshme të Republikës së Kosovës tek të gjithë miqtë ku Gjermania mund të bëjë influencën e vet dhe po ashtu një qasje e veçantë e mbështetjes edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik ” vijoi Presidenti Sejdiu.
Presidenti Sejdiu tha po kështu se vizita në Gjermani dëshmoi se është një epokë e re e zhvillimit të marrëdhënieve miqësore me Republikën Federale Gjermane, duke pasur parasysh edhe investimet e veçanta që ka bërë për qytetarët e Kosovës, për periudha të gjata kohore.