Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu takoi misionin vëzhgues të Këshillit të Evropës, kryesuar nga Giovanni di Stasi dhe anëtarë të Kongresit të Autoritetit lokal dhe regjional, si dhe të Bashkimit Evropian, kryesuar nga znj. Ludmila Sfiroloaga, zëvendëspresidente e Kongresit.
Në takim u diskutua për rrjedhën e fushatës parazgjedhore dhe bashkëbiseduesit u pajtuan se e gjithë fushata është bërë në një frymë të tolerancës dhe të repsektit të ndërsjellë. Presidenti Sejdiu vlerësoi se është ndërtuar një kulturë dhe vetëdije e lartë politike në të gjitha subjektet pjesëmarrëse në këto zgjedhje. Ai falënderoi z. di Stasi dhe anëtarët e tjerë të delegacionit për mbështetjen që po i japin Kosovës në këtë proces.“Kosova edhe kësaj radhe, me këtë proces zgjedhor, do të dëshmojë se është e gatshme të qeverisë vetveten”, tha Presidenti Sejdiu. Ndërsa, Di Stasi theksoi se edhe këtë herë pret të raportojë sukseset e këtij procesi zgjedhor, dhe kjo do të jetë një storje e suksesit jo vetëm për Kosovën, por për tërë Evropën.