President i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot Presidentin e Sllovenisë, dr. Danilo Turk, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin e deritashëm shumë të mirë në mes të dy vendeve, si dhe planet për zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.
Presidenti Sejdiu falënderoi Presidentin Turk dhe shtetin slloven për përkrahjen e vazhdueshme të Republikës së Kosovës, për njohjen e shpejtë të pavarësisë së saj, për shkëmbimin e ambasadorëve dhe sidomos për përkrahjen në skenën ndërkombëtare, ku Sllovenia luan një rol të rëndësishëm në argumentimin e pavarësisë së Kosovës, po edhe në ndikimin e njohjes së mëtejme të saj.“Unë dëshiroj të shpreh kënaqësinë time për vizitën e shkëlqesisë së Tij, Presidentit të Republikës së Sllovenisë dr. Danilo Turk, që i bën Kosovës dhe po të njëjtën kohë shpreha atë që ndjen populli i Kosovës për popullin dhe institucionet e Republikës së Sllovenisë, një falënderim të madh dhe të sinqertë për mbështetjen e madhe që populli slloven, Republika e Sllovenisë i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës në procese të gjata kohore”, tha Presidenti Sejdiu.Republika e Sllovenisë, është angazhuar fuqishëm në aspektin edhe të sqarimit të arsyeve të mëvetësisë së Kosovës edhe në institucionet ndërkombëtare, për të sqaruar mirë arsyet se mëvetësia e Kosovës është garanci e paqes dhe stabilitet në rajon por edhe më gjerë.“Për ne, është aq më tepër e rëndësishme se ky përkushtim kaq kualitativ nuk ka mbetur vetëm në relacionet e drejtpërdrejta mes dy vendeve dhe dy popujve, por edhe me një angazhim të fuqishëm të Republikës së Sllovenisë në institucionet ndërkombëtare, për të sqaruar mirë arsyet e mëvetësisë së Kosovës si dhe përkushtimin reciprok në ndërtimin e marrëdhënieve të reja në rrafshe të shumta që janë të nevojshme për dy vendet sovrane”, tha Presidenti Sejdiu.Presidenti Sejdiu po kështu e ka njoftuar Presidentin Turk me zhvillimin e institucioneve të Kosovës, si dhe për organizimin muajin e kaluar të zgjedhjeve lokale, të parat pas pavarësisë së vendit, të organizuara pa mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare, duke cilësuar të rëndësishëm faktin se në këto zgjedhje, me gjithë presionin e Beogradit, në disa komuna kanë marrë pjesë edhe serbët e Kosovës.Ai ka folur gjithashtu edhe për zhvillimin ekonomik të vendit, që nuk është në nivelin e kënaqshëm, si dhe ka lavdëruar bashkëpunimin e mirë ekonomik mes Kosovës dhe Sllovenisë, një bashkëpunim që ka bazat e mira dhe që po shkon gjithnjë drejt zgjerimit.Në këtë kuadër, Presidenti Sejdiu ka theksuar se Sllovenia mbetet shembulli më i mirë për Kosovën, e cila vizion të vetëm ka integrimin në institucionet euroatlantike.Presidenti Danilo Turk, nga ana e tij, ka folur për marrëdhëniet shumë të mira mes Kosovës dhe Sllovenisë në të gjitha fushat. Ai ka përmendur prezencën në Kosovë të ushtarëve sllovenë në kuadër të KFOR-it, si dhe investimet e mëdha të ndërmarrjeve sllovene në vendin tonë.Ai gjithashtu ka lavdëruar organizimin e zgjedhjeve lokale nga institucionet e Republikës së Kosovës, si dhe e ka quajtur të arritur të madhe faktin që Republika e Kosovës është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, anëtarësim ky që do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejmë ekonomik të vendit.