Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot Presidentin Bill Klinton, i cili po qëndron për një vizitë në vendin tonë.
Në takimin e përzemërt, në të cilin ishin të pranishëm edhe Kryeministri Hashim Thaçi dhe Ministri i Jashtëm Skënder Hyseni, Presidenti Sejdiu e falënderoi Presidentin Klinton për përkrahjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe po i japin edhe sot Republikës së Kosovës, si dhe për kontributin e tij të veçantë në fushatën për ndalimin e gjenocidit dhe përpjekjes për zhbërjen e shqiptarëve nga regjimi i Millosheviqit. Presidenti Sejdiu ka mbajtur një fjalë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me rastin e vizitës së Presidentit Bill Klinton.“Populli amerikan, shteti dhe Ju personalisht, i nderuari president Klinton, keni meritën e veçantë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Qytetarët e vendit tim, do të jenë përherë mirënjohës dhe falënderues, për përkrahjen në të gjitha periudhat, si dhe për vendimin kapital që morët në një moment të vështirë dhe dramatik, për të ndërhyrë ushtarakisht dhe për të ndalur spastrimin etnik që po kanoste një popull të tërë dhe vrasjen e tij kolektive të planifikuar”, tha Presidenti Sejdiu mes të tjerash.Ai po kështu ka mbajtur një fjalë edhe në sheshin “Bill Klinton”, me rastin e inaugurimit të shtatores së Presidentit Klinton.“Ne të gjithë jemi të nderuar me pjesëmarrjen Tuaj në këtë solemnitet, President Klinton, dhe me këtë akt simbolik duam t’ju shprehim edhe një herë gjithë nderimin tonë për Ju dhe për vendin tuaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në ditët më të vështira për Kosovën dhe popullin e saj të rrezikuar nga zhbërja totale fizike, Ju dolët në ballë të vendeve demokratike e liridashëse të botës, që e ndaluan makinerinë paramilitare, policore dhe ushtarake të Millosheviqit, e cila po i dëbonte me brutalitet të paparë qytetarët e vendit tonë nga shtëpitë e veta”, theksoi ndër të tjera Presidenti Sejdiu.