Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti përfaqësueset e basketbollit të Emirateve të Bashkuara Arabe, të Republikës së Shqipërisë dhe ekipin përfaqësues të Republikës së Kosovës, të cilat po marrin pjesë në një turne ndërkombëtar në basketboll që po mbahet në vendin tonë.
Me këtë rast, Presidenti Sejdiu, duke u uruar suksese ekipeve përfaqësuese të të tri vendeve, theksoi përkushtimin e institucioneve të vendit që sportistët kosovarë të marrin pjesë në gara ndërkombëtare.“Më vjen mirë që gjatë këtij turneu ju do të keni rastin që të tregoni talentin dhe artin e lojës së basketbollit”, theksoi Presidenti Sejdiu.Presidenti Sejdiu e vlerësoi lart pjesëmarrjen e basketbollistëve të Emirateve të Bashkuara Arabe në këtë turne dhe i falënderoi ata për faktin që shteti i tyre është një nga vendet e para të Konferencës Islamike që e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.Ndërkaq, drejtuesit e tri federatave të basketbollit, pasi e falënderuan Presidentin Sejdiu për pritjen jashtëzakonisht miqësore, theksuan se kur Presidenti i një vendi fton në takim sportistët, tregon se vëmendja e Presidentit është e përqendruar në zhvillimin dhe mbështetjen e sportit në përgjithësi.