presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

PRESIDENTI SEJDIU PRITI PËRFAQËSUESIT E BORDIT DHE TË MENAXHMENTIT TË AUTORITETIT QENDROR BANKAR

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot përfaqësuesit e Bordit dhe të menaxhmentit të Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës, të cilët e njoftuan atë për ecuritë në sistemin bankar të Kosovës, ecuritë ekonomike, të cilat i përcjell AQBK-ja, investimet, mbikëqyrjen e bankave dhe të shoqërive të sigurimit, si dhe për aktivitetet kërkimore dhe zhvillimin e brendshëm të kësaj banke.

U tha se sistemi bankar po forcohet gjithnjë e më tepër dhe se po bëhet shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik të Kosovës, se ai ka siguruar një imazh të mirë ndërkombëtar, duke ndërtuar marrëdhënie me një numër të madh të institucioneve profesionale bankare dhe financiare të jashtme. Presidenti Sejdiu theksoi interesimin e tij dhe të institucioneve të vendit për zhvillimin dhe forcimin e bankave tregtare dhe të Bankës Qendrore të Kosovës, nevojën e transparencës së përhershme të këtij sektori ndaj institucioneve të Kosovës, veçmas ndaj parlamentit, si dhe nevojën e rritjes së sigurisë si parakusht për investime më të mëdha në Kosovë. Presidenti shprehu bindjen e tij se pavarësia e Kosovës do të krijojë rrethana të reja cilësore për një zhvillim edhe më dinamik dhe më të qëndrueshëm të sistemit bankar dhe u angazhua që të vazhdojnë përgatitjet për transferimin e përgjegjësive të kësaj banke në faktorin vendës. Ai mbështeti interesimin e rritur për investime në këtë sektor, i cili ndikon në rritjen e depozitave dhe të konkurrencës bankare si dhe masat që AQBK-ja po i ndërmerr në sistemin e pagesave.

This site is registered on wpml.org as a development site.