“Ne do të punojmë që Kosova të jetë një vend demokratik për të gjithë qytetarët e saj, me një kujdes të veçantë për pakicat”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi lamtumirës që pati sot me ambasadorin e Austrisë, z. Gernot Pfandler.
Sa u përket incidenteve të fundit në veri të vendit, Presidenti Sejdiu tha se shkaktarët e tyre janë të dirigjuar drejtpërdrejt nga Beogradi, ndaj nevojitet një presion i shtuar i bashkësisë ndërkombëtare që Serbia ta ndalë qasjen konfliktuoze ndaj fqinjëve të vet. Më tej, Presidenti Sejdiu e falënderoi ambasadorin Pflander për punën e tij në Kosovë, si dhe për mbështetjen e përhershme që Austria i ka dhënë Kosovës, duke shfaqur bindjen se marrëdhëniet midis dy vendeve do të jenë gjithnjë e më të mira.Ndërkaq, ambasadori Pfandler tha se gjatë këtyre dy vjetëve të qëndrimit të tij në Kosovë kishte kaluar një periudhë shumë interesante.“Kam pasur fatin që nuk u jepet shpesh diplomatëve, që të jem këtu në momentin më të rëndësishëm të historisë së këtij vendi, në shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, theksoi ambasadori Gernot Pfandler.