Prishtinë, 5 shkurt 2008 – “Kosova e pavarur do të jetë vend i lirë i të gjithë qytetarëve të saj të barabartë, pa dallim etnie apo besimi”, tha Presidenti Sejdiu gjatë një takimi me myftiun e Kosovës, z. Naim Tërnava.
Myftiu i Kosovës, z. Naim Tërrnava e përgëzoi Presidentin Sejdiu për rizgjedhjen e tij dhe për konstituimin e suksesshëm të institucioneve te reja te Kosovës. Po kështu, ai shprehu gatishmërinë e tij dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës për bashkëpunim sa me të frytshëm me institucionet e Kosovës për të ndihmuar në përfundimin sa më të suksesshëm të procesit të përcaktimit të statusit të Kosovës dhe zhvillimeve që do ta presin vendin pastaj. Presidenti Sejdiu e falënderoi z. Tërnava për urimin dhe mbështetjen e ofruar. Ai theksoi angazhimin e tij personal për bashkëpunim të vazhdueshëm me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe me të gjitha komunitetet fetare të Kosovës, me qëllim që të krijohen rrethana sa më të favorshme për një jetë dhe mirëqenie më të mirë për gjithë popullin e Kosovës.