“Sportistët e Kosovës meritojnë t’u jepet shansi për të treguar talentin e tyre edhe në arenën ndërkombëtare”, theksoi Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu gjatë një takimi që pati sot me z. Armando Duka, kryetari i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, të cilin e falënderoi për ndihmën e madhe që Shqipëria i ka dhënë Kosovës në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe sportin.
Ndërsa, z. Duka, pasi e uroi Presidentin Sejdiu për njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, theksoi se ishte i bindur që Kosova, porsa t’i jepet mundësia, do të dëshmojë se ka potencial të mirë për të formuar një kombëtare të mirë në futboll, meqë shumë të rinj nga Kosova po dëshmohen si futbollistë cilësorë nëpër ligat e ndryshme të Evropës. Ai premtoi se FFSH-ja, edhë në të ardhmen do të punojë për ta ndihmuar ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës, duke i ofruar gjithë kapacitetet në dispozicion Federatës së Futbollit të Kosovës dhe udhëheqësit të saj, z. Fadil Vokrri.