Prishtinë, 24 janar 2008 – Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, priti në një takim drejtuesit e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, në krye me drejtorin Naser Ramadani.
Drejtori i IKSHPK-së, z. Naser Ramadani e ka njohur Presidentin Sejdiu me punën e Institutit. Ai theksoi se IKSHPK si institucion i lartë shëndetësor, profesional dhe shkencor i Kosovës, është institucion strategjik me rëndësi të veçantë kombëtare duke pasur parasysh rolin e tij në përgatitjen dhe implementimin e strategjive dhe politikave shëndetësore, si dhe diagnostikimin dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.Duke e vlerësuar rolin e IKSHPK-së në fushën e shëndetësisë, Presidenti Sejdiu theksoi se IKSHPK ka peshën e vet të veçantë në ruajtjen e shëndetit të popullatës.Presidenti Sejdiu shprehu besimin se IKSHPK do të ketë rolin e tij të rëndësishëm në ngritjen e cilësisë së përkujdesjes shëndetësore dhe parandalimit të sëmundjeve, si dhe zhvillimin e punës hulumtuese-shkencore dhe ngritjen profesionale të punëtorëve shëndetësor.Ai premtoi përkrahjen e tij të vazhdueshme për punën dhe projektet e këtij instituti.Drejtori Naser Ramadani në emër të IKSHPK e uroi Presidentin Sejdiu për rizgjedhjen President i Kosovës dhe i shprehu atij gatishmërinë e plotë të IKSHPK për të bashkëpunuar në të mirë të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve të vendit.