presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu përshëndet Rezolutën për Kosovën të Parlamentit Evropian

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu e përshëndeti Rezolutën për Kosovën, të cilën e miratuan sot me shumicë dërmuese votash anëtarët e Parlamentit Evropian.

“Rezoluta për Kosovën e Parlamentit Evropian paraqet një hap shumë të rëndësishëm cilësor të këtij institucioni në raport me vendin tonë”, tha Presidenti Sejdiu, i cili ritheksoi se kjo rezolutë dëshmon fuqishëm përkushtimin e vendeve të Evropës për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.

“Ko rezolutë është shumë e rëndësishme edhe për faktin se ajo në mënyrë eksplicite kërkon nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Republikës së Kosovës, që ta bëjnë sa më parë këtë”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu çmoi lart edhe angazhimin e deputetes austriake Ulrike Lunaçek, e cila e ka përgatitur këtë rezolutë.

Po ashtu, Presidenti Sejdiu ripërsëriti se vizioni i vetëm i popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.

“Republika e Kosovës është e vendosur t’i plotësojë të gjitha standardet që i kërkohen në udhën e integrimeve euroatlantike, ndërsa Rezoluta e sotme e Parlamentit Evropian është një mbështetje konkrete, e cila u jep kurajë të fuqishme synimeve tona sublime për të qenë sa më shpejt edhe de jure pjesë e familjes së madhe evropiane”, pohoi Presidenti Sejdiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.