Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu i dërgoi një telegram Presidentit të Republikës së Shqipërisë, dr. Bamir Topi, të cilit i shprehu ngushëllimet më të sinqerta për shuarjen e jetës së qytetarëve që pësuan dje në aksidentin tragjik në aksin Rrëshen -Fushë Arrëz.
Në vijim po e japim tekstin e këttij telegrami:
Shkëlqesisë së Tij, Bamir Topi,
President i Republikës së Shqipërisë,
I dashur President Topi,
Në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për shuarjen e jetës së bashkëqytetarëve Tuaj, të cilët humbën jetën në aksidentin tragjik, që ndodhi dje në aksin rrugor Rrëshën – Fushë Arrëz.
Ky lajmi i kobshëm është përjetuar me pikëllim të thellë kudo në Kosovë. Prandaj, në këtë ditë zie për të gjithë ne, ritheksoj solidaritetin e plotë të popullit të Kosovës me të gjithë të prekurit nga kjo fatkeqësi e madhe, me familjarët e viktimave, me institucionet e shtetit dhe me mbarë popullin shqiptar.
Uroj që të plagosurit të shërohen sa më shpejt dhe të kthehen në shtëpitë e tyre.
Shpirtërisht dhe në lutje jemi me Ju në këto çaste pikëllimi!
Zoti i bekoftë viktimat e kësaj tragjedie dhe familjet e tyre!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Me respekt,
Dr. Fatmir Sejdiu
President i Republikës së Kosovës