Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu i dërgoi një telegram ngushëllimi familjes Dashi, me rastin e ndarjes nga jeta të më të dashurës së tyre, Bihije Dashit, doajene e arkitekturës në Kosovë
Në telegram thuhet:
E nderuara familje Dashi,
Pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta për ndarjen nga jeta të më së dashurës suaj, znj. Bihije Dashi, doajene e arkitekturës në Kosovë.
Lajmi për shuarjen e saj na ka pikëlluar të gjithëve, por jemi të bindur se vepra dhe kontributi i Bihije Dashit për zhvillimin e infrastrukturës arkitekturore në tërë Kosovën do të kujtohen me nderim të përhershëm nga brezat e ardhshëm.
Bihije Dashi tërë shekullin e saj të punës profesionale ia kushtoi mirëqenies dhe emancipimit të jetës së përgjithshme të qytetarëve të Kosovës, duke gëzuar respektin e kolegëve të profesionit dhe të gjithë atyre që e njohën.
Shpirtërisht dhe në lutje jemi me Ju në këto çaste pikëllimi!
Zoti e bekoftë Bihije Dashin dhe familjen e saj!
Me respekt,
Dr. Fatmir Sejdiu,
President i Republikës së Kosovës