Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu mori pjesë sot në përurimin e objektit të ri të shkollës fillore “Andon Zako Çajupi” në Bardhosh të Prishtinës.
Në ceremoni morën pjesë edhe ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Enver Hoxhaj, nënkryetari i komunës së Prishtinës, Avdullah Hoti e zyrtarë të tjerë.“Qëllimi themelor i institucioneve të vendit është që nxënësve t’u sigurohet hapësirë e bollshme dhe kualitative me gjithë elementet e tjera përcjellëse, duke filluar edhe me tekstet shkollore që ju janë ofruar falas gjithë nxënësve të Kosovës, në mënyrë që të zënë shumëçka që kemi mundur ta kapërcejmë më herët por për shkak të rrethanave të vështira nuk kemi arritur”, tha Presidenti Sejdiu, duke përgëzuar banorët e fshatit Bardhosh për shkollën e re.“Është me rëndësi që kemi arritur çështjet e mëdha. Kosova është e lirë dhe e pavarur, e njohur ndërkombëtarisht nga shumë vende, e mbështetur fuqishëm në të gjitha proceset e jetës së saj, e mbështetur fuqishëm edhe në investimet e rëndësishme në fushën e arsimimit, të edukimit dhe të shkencës, prandaj me bindje të plotë them se mësuesit e kësaj shkolle, sikur edhe mësuesit e shkollave të tjera të Kosovës, do të angazhohen maksimalisht që t’u ofrojnë nxënësve të arriturat më të reja të dijes”, vijoi Presidenti Sejdiu.Më tej Presidenti Sejdiu foli për periudhën jo të largët, të rëndë, për shoqërinë dhe arsimin shqip në përgjithësi. “Ajo që ka qenë periudhë e vështirë që e kemi kapërcyer bashkë e ka po ashtu vlerën apo baraspeshën e rezistencës së madhe që është bërë. Edhe arsimi në atë kohë, sikur edhe gjithë kohët e tjera, ka qenë një nga shtyllat më të rëndësishme dhe të parrëzueshme të rezistencës së madhe”, tha ai. Duke folur për vështirësitë me të cilat përballet shoqëria jonë sot, Presidenti Sejdiu theksoi se institucionet e vendit kanë zgjedhur të investojnë shumë në fushën e arsimit të të rinjve, duke shpresuar që në një të ardhme të afërt atyre t’u krijohen vende pune dhe t’u hapet perspektiva. Në mes të alternativës a është më mirë që njeriu të jetë i shkolluar dhe për një kohë i papunë, apo të jetë i pashkolluar dhe i papunë, ne kemi zgjedhur alternativën e parë, por kjo nuk do të thotë që ajo i papunë të jetë e vazhdueshme, u shpreh Presidenti Sejdiu.“Për ne është me rëndësi që si institucione të bëjmë hapa edhe më të shpejtë dhe ata do të jenë për të siguruar perspektivën për të gjithë. Borxhi i mësuesve dhe nxënësve është ta bëjnë punën e vet, dhe unë them se jam gurthemel i rëndësishëm, jo vetëm për lirinë e Kosovës por edhe për zhvillimin e saj, për ndërtimin e saj, për qenien e saj kompatibile apo e përputhshme me vlerat më të reja bashkëkohëse”, tha Presidenti Sejdiu, duke shtuar se është borxh i institucioneve që ta ndihmojnë edhe më tej këtë shkollë me libra të ndryshëm dhe pajisje kabinetike.