Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, mori pjesë sot në hapjen solemne të edicionit të 9-të të Panairit “Agrokos & Drinks 2009”. Ai e vlerësoi këtë ngjarje si jashtëzakonisht të rëndësishme dhe që tregon për gatishmërinë dhe pjekurinë në fushën e agroekonomisë, që është jashtëzakonisht e nevojshme për ekzistencën dhe mbijetesën e një populli.
“Për ne është vërtetë një ngjarje e rëndësishme edhe kjo e sotme që tregon pjekurinë e kompanisë dhe të bashkëpunëtorëve tuaj por natyrisht edhe të gjithë partnerëve që i keni, edhe të rajonit, edhe të Bashkimit Evropian por edhe të vendeve të tjera, për të bërë prezantimet më të mira të mundshme të të arriturave edhe teknologjike por edhe të arriturave të tjera që kanë të bëjnë me fushën që është tepër e nevojshme për ekzistencën të një populli, të një vendi”, tha Presidenti Sejdiu.Ekspozimi i këtyre prodhimeve, i kualitetit të tyre do të bëhet edhe në vendet e tjera gjithmonë në frymën e një bashkëpunimi të ndërsjellë, dhe se është borxh i institucioneve të vendit që të krijojnë kushte dhe favore të përshtatshme për prodhuesit vendorë.” E them paralelisht, se do të vijë edhe më tepër kualiteti edhe i prodhimeve prej atyre vendore, i mundësisë së ekspozimit të tyre edhe në vende të tjera, por kjo do të bëhet gjithmonë me një bashkëpunim të thellë me gjithë këtë gamë të njerëzve dhe të kompanive që ju keni bërë deri tash në mënyrën më të mirë. Unë do të them se është borxh i institucioneve të vendit që të krijojnë edhe më tepër favore për prodhuesit vendorë, për gjithë ata që merren prej asaj që do të thosha idesë deri në përpunim, që të ketë një bashkëpunim të mirë posaçërisht me institucionet që lidhen me fushën e agroekonomisë por edhe fusha të tjera”, shtoi ndër tjera Presidenti Sejdiu.Ai, po ashtu, porositi që të punohet toka e Kosovës dhe të shfrytëzohet në maksimum në mënyrën më të mirë, por natyrisht që në këtë kuadër të përpunohet edhe legjislacioni. “Siç ju thash para disa ditësh edhe në ekspozimin e mëhershëm që ishte të produkteve vendore të një forme tjetër, që të punohet mirë toka e Kosovës dhe në këtë kuadër ajo që themi gjithmonë se e ka falë Zoti dhe e kemi në tabanin tonë të përbashkët, të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë. Prandaj, unë them se edhe legjislacioni duhet të shkojë në përpunim edhe më tepër dhe kjo të jetë një pjesë e mundësive të mëdha të komunikimit me botën bashkëkohëse apo me teknologjitë më moderne”, veçoi Sejdiu.Presidenti Sejdiu tha ndër tjera se Kosova është një realitet, i cili ditë për ditë pranohet nga vende të reja. Marrja e vendimit për themelimin e ambasadës në Republikën e Maqedonisë, është një shenjë e mirë e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm edhe me vendet e rajonit, duke i bërë ftesë kështu edhe Republikës së Serbisë, për bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e ekonomisë dhe të bashkëpunimit reciprok. “Çka është e rëndësishme të themi, është se Kosova është një realitet, i cili ditë e për ditë pranohet nga vendet edhe të reja të demokracisë dhe është bashkangjitur në familjen e vendeve të lira. Kosova, dje t’u them ka përfunduar edhe procesin e vendimit të themelimit të ambasadës së saj në Republikën e Maqedonisë që është një shenjë e mirë i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe janë bashkëpunimet e shkëlqyeshme edhe me vendet e tjera të rajonit. Unë, them se është një mesazh paralel, siç e prezantova edhe më herët, i ndjenjës sonë edhe për Republikën e Serbisë që nesër të hapen mundësitë e bashkëpunimit ekonomik, të hapen mundësitë e komunikimit të lirshëm të qytetarëve, të hapen mundësitë e eksportit reciprok, jot ë vazhdohet me pjesën e shtrëngesave sepse ajo pjesë e shtrëngesave është e tejkaluar, është gjithmonë e logjikës së konfronteve. Është e logjikës që të mbajë rajonin, jo veç Kosovën në tension të vazhdueshëm ne s’do ta marrim atë karrem. Për ne është me rëndësi se do të rrezatojmë në mënyrën më të mirë të mundshme në qasjet më pozitive për të pas marrëdhënie të mira ndërshtetërore sepse është interes i vendeve, dhe në këtë kuadër do të jemi prijatar edhe në ide”, tha Presidenti Sejdiu.Duke ua rikujtuar të pranishmëve procesin e bisedimeve dhe momenteve të së kaluarës të vendit tonë, Presidenti Sejdiu tha se nuk mund të kthehet asnjëherë pas rrota e historisë, dhe se ka përfunduar njëherë e përgjithmonë çështja e Kosovës. “Juve, ju kujtohet edhe në kohën e procesit të bisedimeve, se dikush mendonte se sot nuk ka përfunduar çështja e Kosovës, ka përfunduar njëherë e përgjithmonë, Kosova është e pavarur dhe është realitet që nuk mund të kthehet pas”, theksoi ai.