DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për provimin e Jurisprudencës

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për juristët të cilët e kanë dhënë provimin e jurisprudencës.

Në këtë ceremoni, Presidenti Sejdiu tha se drejtësia dhe sundimi i ligjit duhet të jenë model i mirë i promovimit të tërësisë së funksionimit të shtetit, dhe paralelisht i marrjes praktike me problemet dhe hallet e qytetarëve. “Kosova ka sfida të mëdha për zhvillimin e vendit, realizimin e pritjeve të qytetarëve, përmbushjen e kritereve të rëndësishme veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të sigurisë, në të cilat kemi edhe prezencën ndërkombëtare mbështetëse”, theksoi Presidenti Sejdiu. Ai duke i uruar juristët për dhënien e provimit të jurisprudencës,  e vlerësoi ditën e ndarjes së certifikatave si një ditë të rëndësishme për sistemin gjyqësor dhe prokurorial të vendit, ndërsa të certifikuarit si partner të rëndësishëm në proceset e rëndësishme dhe të ndjeshme për vendin. “Ne jemi në përpjekje të vazhdueshme të reformimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës dhe këtë e bëjmë për njerëzit tanë, e jo për atë që mund të jetë pjesë e analizës së thellë të Raportit të Progresit, që e bëjnë miqtë tanë të cilët e kanë shtrirë dorën e ndihmesës për Kosovën në proceset e mëdha bashkëkohëse të integrimit”, tha Presidenti Sejdiu. Gjithashtu, Presidenti Sejdiu tha se njerëzit që janë në sistemin e gjyqësor dhe prokurorial duhet të japin mesazhin e punës, të paanësisë, të profesionalizmit, të devotshmërisë dhe të përcaktimit të thellë shpirtëror për profesionalizëm dhe profesionin që kanë zgjedhur.

This site is registered on wpml.org as a development site.