Shefja e Zyrës së Francës në Prishtinë, znj. Borione ia përcolli Presidentit Sejdiu telegramin e dërguar nga Presidenti francez Sarkozy, me rastin e rizgjedhjes së Presidentit Sejdiu në postin e të parit të vendit.
Në këtë telegram thuhet:“Z. President:Dua t’ju adresoj urimet e mia më të ngrohta me rastin e rizgjedhjes suaj në krye të Presidencës së Kosovës.Në këtë periudhë shumë të rëndësishme për historinë e Kosovës, jam i bindur se do ta vazhdoni aksionin e filluar që nga shkurti i vitit 2006 për ta bërë Kosovën një shtet multietnik dhe të decentralizuar, në të cilin të gjitha komunitetet do të mund të jetojnë në paqe dhe në siguri.Në etapën e re në të cilën Kosova do të hyjë së shpejti, ju mund të llogarisni në përkrahjen e Francës. Sfidat përpara jush janë të shumta: zhvillimi ekonomik dhe social, përgatitja e perspektivës evropiane, bashkëpunimi rajonal.Me dëshirat e mia më të sinqerta për sukses në këtë mandat të ri, ju lus të pranoni, Zoti President, sigurinë e konsideratës sime më të lartë”Presidenti Sejdiu e falënderoi znj. Borione dhe theksoi se Franca do të jetë për Kosovën shembull i shkëlqyeshëm me modelin e lirisë që ka për të gjithë qytetarët e saj. “Institucionet dhe qytetarët e Kosovës janë shumë mirënjohës për ndihmën e pakursyer të Francës në të gjitha rrafshet, e veçanërisht në rrafshin diplomatik dhe ushtarak”, theksoi Presidenti Sejdiu. Ndërkaq znj. Borione tha se ka ardhur koha që të hapet rruga dhe perspektiva e zhvillimit për Kosovën. “Po vjen një moment historik për Kosovën, moment për të cilin Franca ka punuar shumë. Është moment që bart në vete përgjegjësi të madhe dhe ne jemi shumë të kënaqur me sensin e maturisë dhe përkushtimit që është duke treguar lidershipi kosovar”, theksoi Znj. Borione. Në takim gjithashtu u diskutua për përgatitjet që po bëhen për përfundimin sa më të shpejtë të draftit të Kushtetutës së Kosovës dhe pakos legjislative që del nga Pakoja e Ahtisaarit. Presidenti Sejdiu ripohoi përkushtimin dhe gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për ta implementuar këtë pako në tërësi.