presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu kërkon që të shtohet efiçenca në zgjidhjen e lëndëve në gjykata

“Ne kemi kapërcyer periudhën e testimit të parë sidomos në aspektin e përpjekjeve për të përgatitë një bazë të mirë për reforma në gjyqësor dhe kemi hyrë në fazën më kritike, më të rëndësishme dhe më të ndjeshme për Kosovën dhe duhet t’ia dalim”, tha Presidenti Sejdiu

16.09.2009. – Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu, ka kërkuar që të shtohet efiçenca në zgjidhjen e lëndëve në gjykatat e vendit.  

“Ne kemi biseduar, për të parë a mund të krijohet balanca e lëndëve të zgjedhura në gjyqësorin e Kosovës, dhe pse ndodh kësisoj, pse ndodh që shumë lëndë zhagiten nga dita në ditë ndërsa disa të tjera shpejtohen dhe kryhen. Ku janë interesat, a është interesi i Kosovës që të zgjidhen të gjitha këto lëndë paralelisht, apo është interesi që të financohen, nganjëherë, them pa të keq, fenomene që mund dhe e dëmtojnë sistemin gjyqësor të Kosovës”, tha Presidenti Sejdiu gjatë një vizite në Institutin Gjyqësor të Kosovës, ku mbajti një fjalë në ceremoninë e organizuar me rastin e fillimit të programit të përgatitjes së gjeneratës së dytë për gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm të Kosovës.

“Ne kemi kapërcyer periudhën e testimit të parë sidomos në aspektin e përpjekjeve për të përgatitë një bazë të mirë për reforma në gjyqësor dhe kemi hyrë në fazën më kritike, më të rëndësishme dhe më të ndjeshme për Kosovën dhe duhet t’ia dalim”, vijoi Presidenti Sejdiu.

“Tash e një vit e kemi pasur një pasqyrë tjetër të strukturës së gjyqtarëve dhe të mekanizmave të shtetit, menjëherë pas pavarësisë dhe tash gjendemi në një ballafaqim të drejtpërdrejt me problemet të cilat deshëm apo nuk deshëm shkaktohen qoftë si qasje normale apo qasje inercioni me strukturën aktuale në gjyqësor dhe veçanërisht me ballafaqimin e drejtpërdrejt me ndjenjën e reformës dhe frikën nga reforma. Kam parasysh pjesën e madhe dhe të rëndësishme të testimeve në procesin apo provimet, kam parasysh futjen sa më thellë në proces të reformës, dhe ofertën e mirë që duhet t’u bëhet njerëzve për të marrë përgjegjësi të rëndësishme në gjyqësor dhe ballafaqimin e atyre që nuk ia kanë dalë për ta kryer punën si duhet”, tha ai.

Më tej Presidenti Sejdiu theksoi se “në Kosovë ka edhe fenomene të këqija sikur edhe gjetiu, ka edhe veprime të mira por ka edhe diçka që nuk ia kemi dalë sa duhet që të shtojmë efiçencën në të gjithë strukturën e gjyqësorit, për t’iu përgjigjur sfidave të përditshme që i kemi”.

Më tej, duke folur për punën e Institutit Gjyqësor të Kosovës, Presidenti shtroi nevojën që “ky nivel i institutit duhet të rritet edhe me kapacitete edhe trajnime të shndërrohet në akademi në një diçka që do të jetë permanente siç e kanë edhe vendet e tjera”.

This site is registered on wpml.org as a development site.