Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, ka marrë letrën origjinale të Presidentit të Republikës së Perusë, z. Alan Garcia Perez, me të cilën konfirmohet njohja e pavarësisë së Kosovës nga ky vend latino-amerikan.
Duke iu drejtuar Sejdiut, z. Perez përcjell urimet e tij dhe të Qeverisë së Perusë për “hapin transcedental që ka bërë populli dhe Parlamenti i Kosovës duke deklaruar pavarësinë e Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008”.Më tej, Presidenti peruan Alan Garcia Perez, në letrën e tij dërguar Presidentit Sejdiu, që mban datën 25 shkurt 2008, shkruan se “Qeveria e Perusë, përmes komunikatës që ka lëshuar më 22 shkurt 2008, ka proceduar për njohje të pavarësisë së Republikës së Kosovës”. Në komunikatën e Ministrisë për Punë të Jashtme të Perusë theksohej se “Qeveria e Perusë ka vendosur ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ky vendim është marrë pasi është analizuar evolucioni historik i procesit delikat që ka përfshirë ndërhyrjen e Kombeve të Bashkuara dhe të Këshillit ë Sigurimit”. Në komunkatë më tej vlerësohej se bëhet fjalë për “situatë unike që vjen nga evoluimi politik që përcaktoi shpërbërjen e ish-Jugosllavisë”.Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, i ka dërguar letër Presidentit të Republikës së Perusë, z. Alan Garcia Perez, nëprmjet së cilës e falënderon për njohjen e pavarësisë së vendit tonë.Republikën e Kosovës e kanë njohur deri tani 36 vende, duke përfshirë edhe 7 vendet e G-8-shit.