presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

PRESIDENTI SEJDIU I KA SHKRUAR AMBASADORIT JOHN BOLTON, KRYETAR I KËSHILLIT TË SIGURIMIT TË OKB-SË

I nderuari Ambasador Bolton, Më lejoni që pas zgjedhjes sime si President i Kosovës të premten e kaluar, t’ju falënderoj në emër të popullit të Kosovës për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Në javët e fundit ne kemi pësuar humbjen tragjike të udhëheqësit tonë të respektuar ndërkombëtarisht, Presidentit Ibrahim Rugova. Ne vazhdojmë të jetojmë me këtë humbje. Mirëpo, mbesim të përkushtuar ndaj vizionit të tij dhe trashëgimisë së tij të pasur politike, e cila paraqet bazë të mirë për një Kosovë të pavarur, demokratike, paqësore dhe tolerante. Ky është vit vendimtar për Kosovën dhe unë jam i ndërgjegjshëm për detyrat që mua si President dhe të gjithë udhëheqësve politikë të Kosovës na presin në muajt e ardhshëm. Duke pasur parasysh këtë, më lejoni të nënvizoj sërish përkushtimin tonë për të punuar në mënyrë konstruktive me Emisarin për Status, Presidentin Martti Ahtisaari. Unë dhe kolegët e mi në Ekipin Negociator e dimë se ka rëndësi të dorës së parë që t’i afrojmë komunitetet pakicë të Kosovës, në veçanti serbët e Kosovës, në mënyrë që t’i dëgjojmë dhe të merremi me shqetësimet e tyre. E shoh si detyrë timen si President që të prij në këtë proces të vështirë, por jetik, të pajtimit. Ju siguroj, z. kryetar i Këshillit të Sigurimit, se përkrah procesit të Statusit, institucionet e Kosovës vazhdojnë përkushtimin për përmbushjen e mëtejshme të standardeve. Këto standarde shihen në vendin tim si vlera që do t’i shtrojnë Kosovës rrugën e integrimeve euro-atlantike. Z. kryetar i Këshillit, pres që të kem marrëdhënie të afërta pune me Përfaqësuesin e Sekretarit të Përgjithshëm, z. Soren Jesen-Petersen dhe UNMIK-un në tërësi, si dhe me forcën e NATO-s në Kosovë, KFOR-in. Ne do të vazhdojmë poashtu të kemi marrëdhënie të afërta me SHBA-të, Unionin Evropian, si dhe me misionet e zyrat e tjera të ndërlidhjes në Kosovë. Ju lutem pranoni përshëndetjet dhe konsideratat më të larta të popullit të Kosovës, i cili e sheh të ardhmen e vet si pjesë të familjes së kombeve të lira dhe të pavarura. I juaji përzemërsisht, Fatmir Sejdiu,President i Kosovës

This site is registered on wpml.org as a development site.