presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu falënderoi komandantin e KFOR-it, gjeneralin Roland Kather

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, e falënderoi komandantin e KFOR-it, gjeneralin Roland Kather, për angazhimin e pjesëtarëve të KFOR-it në betejën e shuarjes së zjarreve që kanë kapluar pyjet në shumë pjesë të Kosovës.

Gjenerali Kather i premtoi Presidentit Sejdiu se KFOR-i, sikundër deri më tash, do të punojë me të gjitha potencialet që ka në dispozicion për të krijuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë në Kosovë, e në këtë kontekst edhe për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve.Në një konferencë të përbashkët me mediat, të mbajtur me të përfunduar takimi, Presidenti Sejdiu dhe gjenerali Kather ritheksuan qëndrimet e institucioneve që përfaqësojnë jo vetëm për gjendjen e krijuar pas zjarrave në pyjet e Kosovës, por edhe për aspektet e tjera që kanë të bëjnë me statusin e vendit, me zgjedhjet e pritshme lokale dhe nacionale etj.I pyetur për spekulimet e fundit lidhur me njëfarë konfederate në mes Serbisë dhe Kosovës, Presidenti Sejdiu theksoi se idetë e tilla nuk vlen të komentohen, sepse qytetarët dhe institucionet e Kosovës kanë vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës, që do të jetë pavarësia dhe sovraniteti i saj i plotë. Po ashtu, ai përshëndeti njoftimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z. Ban Ki Moon, i cili ka pohuar se më së largu deri më 10 dhjetor pret të marrë një raport nga Grupi i Kontaktit për bisedimet 120-ditëshe që pritet të fillojnë nga mesi i gushtit.Ndërsa, gjenerali Kather, duke folur për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend, ripërsëriti se KFOR-i kontrollon dhe garanton sigurinë në të gjithë territorin e Kosovës.

This site is registered on wpml.org as a development site.