presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

PRESIDENTI SEJDIU DHE KRYEMINISTRI ÇEKU U KTHYEN NGA BRUKSELI.

E kemi shtruar shumë qartë se Kosova smund të jetë peng i kërkesave të vazhdueshme dhe prolongimeve që dikush mund ti iniciojë, tha Presidenti Sejdiu.

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, dhe Kryeministri Agim Çeku u kthyen sot nga Brukseli, ku gjatë dy ditëve të shkuara patën një varg takimesh të rëndësishme, të cilat temë qendrore patën procesin e pavarësimit të vendit tonë. Takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, z. Ban Ki-moon, Presidenti Sejdiu e ka cilësuar si jashtëzakonisht të rëndësishëm. Vlerësime të ngjashme ai dha edhe për takimet që bashkë me Kryeministrin Çeku pati me shefin e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Javier Solana, me kryetarin e Komisionit Evropian, z. Jose Manuel Barrose, me ministrin e Jashtëm të Portugalisë, z. Luis Amado, me ministrin e Punëve të Jashtme të Belgjikës, z. Karel De Gucht, si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të BE-së.Në të gjitha këto takime, tha Presidenti Sejdiu, temë diskutimi ka qenë çështja e statusit politik të Kosovës dhe rrjedhat që kanë të bëjnë me të në këto zhvillimet e fundit. “Ne këmi shprehur qëndrimin tonë, si Kosovë dhe si Ekip i Unitetit, për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të suksesshme, konform vullnetit politik të popullit të Kosovës”, theksoi Presidenti Sejdiu dhe shtoi: “Ne, bashkë me bashkësinë ndërkombëtare, me Presidentin Ahtisari, si dhe me Grupin e Kontaktit, e kemi përmbyllur një dokument të rëndësishëm, që është dorëzuar edhe në Këshillin e Sigurimit dhe atje po bëhen përpjekje për ta mbështetur me një rezolutë të të gjithëve, e cila do të mbështesë në esencën e saj këtë propozim të Ahtisarit”. “E kemi shtruar shumë qartë se Kosova s’mund të jetë peng i kërkesave të vazhdueshme dhe prolongimeve që dikush mund t’i iniciojë”, tha Presidenti Sejdiu, duke lënë të kuptohet se Kosova, edhe nëse detyrohet të kërkojë rrugë alternative, do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me të gjithë faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë, të cilët e kanë përkrahur dhe e përkrahin pavarësinë e Kosovës.Në këtë kontekst, Presidenti veçoi angazhimin e vazhdueshëm të z. Ban Ki-moon që ky proces të intensifikohet dhe të përmbyllet sa më shpejt.Ndërkaq, Kryeministri Çeku tha se në Bruksel kishin kërkuar një qasje të re të BE-së, një qasje më të guximshme, meqë nuk është e mjaftueshme, si tha ai, që vendet e Unionit Evropian vetëm të preferojnë rrugën e zgjidhjes së statusit të Kosovës përmes Këshillit të Sigurimit dhe të presim se çka do të bëjë KS-ja, sepse jemi dëshmitarë të draftit të pestë të rezolutës dhe se draft pas drafti, Këshilli i Sigurimit është duke e zvarritur dhe duke e bërë më të paqartë edhe rrugën, edhe kohën e zgjidhjes së statusit. Edhe kryeministri Çeku tha se në Bruksel ishte biseduar për rrugën alternative të pavarësimit të Kosovës, duke pohuar se ajo është një rrugë e vështirë, me sfida të shumta, me të panjohura të paparashikueshme. Por, vijoi ai, neve na duhet qartësi dhe shpejtësi për zgjidhjen e statusit të Kosovës. “Nëse jemi të detyruar të zgjedhim në mes asaj të pamundshmes, ose të pasigurtës dhe të vështirës, unë e kisha preferuar të vështirën”, pohoi z. Çeku. Më tej, ai tha se “nëse ne e bëjmë këtë zgjidhje, kërkojmë mbështetjen dhe bashkëpunimin e aleatëve tanë, në radhë të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Unionit Evropian. “Jemi bashkë në këtë proces dhe bashkë duhet ta përmbyllim”, tha Çeku.

This site is registered on wpml.org as a development site.