DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu dënoi incidentin e mbrëmshëm në Mitrovicë

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dënoi incidentin që ndodhi mbrëmë në Mitrovicë, duke theksuar se ngjarjet e tilla e dëmtojnë imazhin e Republikës së Kosovës dhe u shërbejnë vetëm atyre që janë kundër paqes, stabilitetit dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim etnie e besimi.

Presidenti Sejdiu u bëri thirrje të gjithëve që të jenë të matur dhe të mos bien në grackën e huliganëve të ndryshëm, të cilët punojnë kundër ligjit, kundër arritjeve dhe së ardhmes sonë të përbashkët.

Presidenti Sejdiu, po ashtu, dënoi ashpër sulmin ndaj pjesëtarëve të EULEX-it dhe të KFOR-it, duke e cilësuar këtë si një veprim krejtësisht të papranueshëm dhe të trupshëm.

“EULEX-i dhe KFOR-i kanë mbështetjen e plotë të popullit dhe të institucioneve të Kosovës dhe ne ritheksojmë përkushtimin tonë të plotë për të vazhduar bashkëpunimin e shkëlqyeshëm për të mirën e të gjithëve në Kosovë”, pohoi Presidenti Sejdiu.

Me këtë rast, ai uroi që polici i lënduar i EULEX-it, pjesëtarët e KFOR-it dhe qytetarët e pafajshëm që pësuan nga aktet huligane të shërohen shpejt dhe t’u kthehen detyrave të tyre të përditshme.

Presidenti Sejdiu kërkoi nga institucionet përgjegjëse të rendit dhe të sigurisë që ta zbardhin sa më parë këtë rast, të mos lejojnë më përsëritjen e incidenteve të tillë, kurse fajtorët t’i nxjerrin para drejtësisë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.