DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu dekoroi Kryeministrin Berisha me “Medaljen e Artë të Lirisë”

06.10.2009. – Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu e ka dekoruar sot Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, dr.Sali Berisha, me Medaljen e Artë të Lirisë.

Po ju përcjellim në vijim fjalën që Presidenti Sejdiu ka mbajtur në ceremoninë e dekorimit të Kryeministrit Berisha:I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, I nderuari kryeministër Hashim Thaçi,Të nderuar deputetë dhe ministra,I nderuari z.Feit dhe KermaboTë nderuar ambasadorëPërfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe të misioneve diplomatike në Kosovë,Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,Zonja dhe zotërinj,Më lejoni që në emër të qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, t’i shpreh mirëseardhjen më të përzemërt Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, i cili, pa dyshim, pati rol historik në ndryshimet dhe të arriturat e mëdha të Shqipërisë dhe të gjithë rajonit tonë gjatë dy dekadave të fundit. I nderuari Kryeministër Berisha, Qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës ju falënderojnë nga zemra për përkrahjen e parazervë që ju, Qeveria dhe i gjithë populli i Shqipërisë i keni dhënë Kosovës në vazhdimësi, dhe në çastet më të rënda të historisë sonë.Republika e Shqipërisë ka qenë përherë zë i artikuluar i mbështetjes së aspiratave legjitime të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Shteti shqiptar është edhe sot i përkushtuar tërësisht për ta mbështetur Republikën e Kosovës. Ky përkushtim dëshmohet kudo dhe kurdo që Shqipërisë i jepet rasti të flasë për Kosovën dhe të drejtën e saj absolute për të qenë e lirë dhe e pavarur. I nderuar Kryeministër Berisha,Republika e Kosovës deri sot është njohur nga 62 shtete sovrane e demokratike të botës. Ne po punojmë që ky numër të rritet, sepse jemi të vendosur që procesin e pakthyeshëm të integrimit euroatlantik të vendit tonë ta përmbyllim me sukses. Duke ripohuar zotimin tonë për garantimin e plotë të lirisë dhe të të drejtave të secilit qytetar pa dallim etnie dhe besimi, ne ritheksojmë po ashtu se Kosova është dhe do të jetë gjithmonë faktor i paqes, i stabilitetit dhe i së ardhmes prosperuese për tërë rajonin.Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,Zonja dhe zotërinj,Kryeministri Sali Berisha është dëshmuar si një lider vizionar dhe i vendosur në sfidat e shumta me të cilat është ballafaquar. Ai me sukses punoi për Shqipërinë e integruar në institucionet euroatlantike dhe pati një rol vendimtar në transformimin e madh të Shqipërisë gjatë këtyre dy dekadave të fundit. Nën udhëheqjen e tij, si president dhe kryeministër, por edhe si lider i opozitës, Shqipëria doli nga izolimi shumëvjeçar dhe iu bashkua botës së lirë e demokratike. Me kënaqësi të jashtëzakonshme, sot themi se Republika e Shqipërisë është anëtare e NATO-s, është në rrugë të mirë drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe po shënon çdo ditë rezultate të pamohueshme ekonomike. Inaugurimi i autostradës Durrës-Morinë, ide e hershme e Presidentit Rugova, është një nga  arritjet më të mëdha të Qeverisë Berisha, e cila duke jetësuar “udhën e kombit” krijoi mundësi të reja për bashkëpunimin dhe afrimin në mes dy vendeve tona.  Prandaj, duke i pasur parasysh të gjitha cilësitë e personalitetit dhe meritat e tij si lider politik e si burrështetas, dhe duke u mbështetur në kompetencat që me jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si President i vendit, unë sot e kam dekoruar Kryeministrin Berisha me “Medaljen e Artë të Lirisë”. Zoti e bekoftë Republikën e Shqipërisë!Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!Zoti i bekoftë miqtë tanë! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.