Prishtinë, 1 korrik 2019 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në konferencën “Të gjithë së bashku me një zë”, e cila u organizua nga Bashkësia Islame e Kosovës në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Presidenti Thaçi ka thënë se jo vetëm të mbijetuarat e dhunës seksuale, por e gjithë shoqëria jonë ka pasur nevojë për një zë tonin të përbashkët, në përkrahje të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.Duke e konsideruar shumë të qëlluar dhe shumë të nevojshme këtë konferencë, ku pjesë e saj ishin edhe klerikë të shumtë fetarë dhe përfaqësuese të organizatave të shoqërisë civile, që me vite janë përkujdesur dhe i kanë mbështetur të mbijetuarat, presidenti Thaçi ka thënë se duhet të kërkojmë më shumë përkrahje prej tërë shoqërisë.“Të mbijetuarat e dhunës seksuale kanë nevojë për më shumë përkrahje institucionale dhe shoqërore. Kanë nevojë për përkrahje më të fuqishme dhe për më shumë mirëkuptim përbrenda familjes, komunitetit dhe shoqërisë sonë”, ka thënë presidenti Thaçi.Kreu i shtetit ka thënë se fajësia e kësaj padrejtësie të rëndë, ende edhe pas 20 vjetësh, fatkeqësisht vazhdon të peshojë mbi vetë viktimat e dhunës seksuale.“Shoqëria jonë duhet të ndërgjegjësohet dhe të bëjë më shumë për të mbijetuarat. Të gjithë së bashku duhet ta luftojmë stigmatizimin e viktimave të dhunës seksuale. Lufta për ne ka mbaruar në vitin 1999, por për të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk ka mbaruar asnjëherë. Për shkak të frikës nga stigmatizimi, i cili nuk do duhej të ishte prezentë në shoqërinë tonë, të mbijetuarat ende vazhdojnë të vuajnë në heshtje”, ka thënë presidenti Thaçi.Ai më tej ka thënë se si shumë krime të tjera, edhe dhunimet ishin mjet lufte për kriminelët serbë, për shtetin e Serbisë.“Ishin krime makabre për të na poshtëruar, për të na thyer dhe për të na shkatërruar nderin e dinjitetin. Me çdo kusht u munduan të na zhveshin prej çfarëdo vlere njerëzore, të na nëpërkëmbin, të na turpërojnë deri te përjashtimi dhe izolimi i njëri-tjetrit”, ka theksuar ai.I pari i vendit ka thënë se të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk janë fajtore për të kaluarën e tyre, e cila është pjesë edhe e të kaluarës së popullit dhe shtetit tonë.“Ato janë viktima që më shumë se të gjithë kanë nevojë për përkrahjen tonë, të shtetit, institucioneve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Shoqëria jonë kurrë nuk duhet të lejojë që kriminelët e shtetit të Serbisë t’ia arrijnë qëllimit të tyre. Këtë duhet ta themi të gjithë shumë qartë: nuk duhet të lejojmë!”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi ka thënë se duhet të flasim ashtu siç ka folur Vasfije Krasniqi – Goodman dhe të kërkojmë drejtësi për mijëra viktima të dhunës seksuale, të ushtruar nga forcat policore dhe ushtarake të shtetit të Serbisë gjatë luftës në Kosovë.“Krimet e luftës nuk vjetrohen, por duke mos folur, duke mos i raportuar, ato amnistohen. Prandaj, asnjëherë nuk është vonë për t’i raportuar rastet, sepse vetëm me angazhim dhe bashkëpunim konkret, me zbatim të drejtë të ligjit, mund të sigurohet drejtësi për viktimat dhe të kërkohet përgjegjësi nga kriminelët që i kryen këto krime të udhëhequra nga shteti i Serbisë”, ka thënë presidenti Thaçi.Presidenti i vendit ka thënë se përpos dhunës seksuale, shteti i Serbisë ka kryer edhe spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë, ka dëbuar rreth 1 milion qytetarë të Kosovës dhunshëm nga shtëpitë dhe pronat e tyre, ka kryer rreth 400 masakra anekënd Kosovës kundër civilëve vetëm pse ishin shqiptarë, ka vrarë rreth 1300 fëmijë vetëm pse ishin shqiptarë.“Ka ndodhur një amnisti e heshtur e drejtësisë ndërkombëtare përballë shtetit të Serbisë dhe kriminelëve që kanë kryer krime në Kosovë. Përpos që kërkojmë drejtësi, kërkojmë edhe qartësi pse po ndodhë kjo amnisti e heshtur nga faktori ndërkombëtar, për të cilat edhe ka ndodhur bombardimi”, ka thënë presidenti Thaçi.Kreu i shtetit ka thënë se për dhjetë vite ishte administrata e UNMIK-ut dhe asnjë kriminelë serbë nuk është i dënuar për dhunën seksuale.As tribunali i Hagës, sipas presidentit Thaçi, as që është marrë me këto çështje.“EULEX-i ka bërë përpjekje, por nuk ka pasur sukses. Prandaj, viktimat jo vetëm që kanë nevojë për mbështetje, jo vetëm që duhet t’i duam, t’i respektojmë e nderojmë, por kërkojnë edhe drejtësi dhe adresa për të kërkuar drejtësi është shumë e qartë, është Beogradi zyrtar. Ata njerëz që e kanë organizuar dhe udhëhequr këtë dhunë sistematike, këto krime makabre, janë në Parlamentin e Serbisë, në Qeverinë e Serbisë, në institucionet më të larta të sigurisë së shtetit të Serbisë, dhe në një formë a formën tjetër heshtet nga bashkësia ndërkombëtare”, ka shtuar ai.Presidenti Thaçi ka theksuar se duhet të kemi mbështetje të plotë për viktimat, por në të njëjtën kohë, çdokund ku të na jepet mundësia duhet të sqarohet qartë se drejtësi nuk ka pasur për krimet që i ka kryer shteti i Serbisë, sepse ato krime nuk i kanë kryer individë që kanë ardhur nga Serbia në Kosovë, por i ka kryer shteti i Serbisë.