DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu ka mbajtur sot një fjalë në ceremoninë e ndërrimit të Komandantit të KFOR-it.

I nderuari admiral Fitzgerald,I nderuar Kryeministër Thaçi,Të nderuar gjeneralë e oficerë, Ushtarë të KFOR-it, Të nderuar ambasadorë,Përfaqësues të pushtetit qendror dhe lokalZonja e zotërinj,

Në qershor të këtij viti, ne shënuam dhjetëvjetorin e hyrjes triumfale të NATO-s në Kosovë. Ky akt madhor ishte sublimim i luftës së drejtë të Aleancës Veriatlantike për shpëtimin e një populli, të cilit po i kanosej zhbërja fizike, si dhe i përpjekjeve e sakrificave të gjata të shumë brezave të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci.Hyrja e NATO-s në Kosovë solli lirinë e shumëpritur dhe hapi perspektivën e paqes, të stabilitetit dhe të përparimit të gjithanshëm jo vetëm të vendit tonë, por të të gjithë rajonit. Kosova, që nga ajo kohë, ka shënuar rezultatet të shumta si në sferën e sigurisë, ashtu edhe në atë të rindërtimit të vendit. Pa dyshim, në këtë rrëfim të suksesshëm, KFOR-i ka qenë pjesa më pozitive e tërë veprës dhe për këtë kanë merita të gjithë ata prijës e ushtarë që shërbyen dhe po shërbejnë me dinjitet në Kosovë. Gjatë dhjetë vjetëve të saj në liri, Kosova arriti të rigjenerojë kënaqshëm ekonominë e saj të shkatërruar, të rindërtojë mijëra shtëpi, shkolla dhe objekte të tjera vitale, të cilat ishin rrënuar nga lufta. Po ashtu, si nga qeveritë e mëparshme, po edhe nga Qeveria e tanishme është bërë një punë e palodhshme që të krijohen rrethanat e volitshme për kthimin e të gjithë qytetarëve të Kosovën në vatrat e veta, pa dallim etnie. Ndonëse mbetet ende punë për t’u bërë, askush nuk mund të mohojë se institucionet e Kosovës kanë qenë plotësisht të përkushtuara që ky proces të kryhet me sukses.Të nderuar të pranishëm,Sot, kur Republika e Kosovës është njohur si shtet i pavarur dhe sovran nga 62 shtete anekënd globit, ne ritheksojmë zotimin tonë të plotë se do të punojmë me të gjitha mundësitë dhe në bashkërendim të përhershëm me vendet mike, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e Bashkimit Evropian dhe me të gjithë vendet e tjera të botës demokratike, për ta forcuar shtetin tonë, për ta vendosur rendin dhe sundimin e ligjit në çdo cep të Kosovës. Natyrisht, e dimë që shumë sfida do të dalin para nesh edhe në të ardhmen, por ne jemi të vendosur që të ballafaqohemi me to dhe t’i zgjidhim një nga një, me qëllim që vendi ynë ta shpejtojë udhën e integrimit euroatlantik, të bëhet anëtare e NATO-s, e Bashkimit Evropian dhe e institucioneve të tjera ndërkombëtare.Pjesë e këtij përcaktimi e synimi mbetet për ne edhe rrita e Forcës së Sigurisë së Kosovës, sepse Kosova dëshiron të jetë vend që ofron siguri për të gjithë qytetarët e saj, vend që jep ndihmesën e vet në misionet paqësore e humanitare kudo në botë. Të nderuar komandantë e ushtarë të KFOR-it,Të dashur pjesëmarrës, Një vit më parë, në një ceremoni të bukur si kjo e sotmja, ne po e falënderonim Komandantin e KFOR-it, Gjeneralin de Marnhac për punën e suksesshme në Kosovë, si dhe po i dëshironim mirëseardhjen Komandantit të ri, Gjeneralit Giuseppe Emilio Gay. Për mua si President i Republikës së Kosovës, është kënaqësi e jashtëzakonshme që sot mund t’i shpreh Gjeneralit Gay konsideratën time më të lartë për punën që ka bërë gjatë mandatit të tij udhëheqës të KFOR-it, si dhe nderimin e të gjithë qytetarëve dhe të institucioneve të vendit tim për komandantët dhe ushtarët e NATO-s që kanë shërbyer më parë ose që janë duke shërbyer aktualisht në Kosovë. Si President i Republikës së Kosovës, kam pasur kënaqësinë e veçantë të bashkëpunoj ngushtë me gjenerallejtënant Giuseppe Emilio Gay. Ne kemi pasur gjithmonë mirëkuptim të plotë për çështjet që kemi diskutuar, si dhe për sfidat me të cilat jemi përballur. Gjenerali Gay ka kryer me përgjegjësi, me përkushtim dhe me profesionalizëm të lartë detyrën tepër të rëndësishme të komandantit të forcave të NATO-s në Kosovë, KFOR-it. Ai e mori komandën e KFOR-it pikërisht në vitin e parë të shpalljes së pavarësisë së vendit tonë dhe ishte këtu, me ne, në të gjitha manifestimet, në përvjetorët dhe në kremtet tona, ashtu siç ishte përherë edhe në ballafaqimet e drejtpërdrejta me sfidat që na dolën përpara gjatë kësaj kohe.Andaj, duke i vlerësuar cilësitë e tij profesionale e njerëzore, si dhe duke u mbështetur në kompetencat që më jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës, unë kam vendosur ta dekorojë gjeneralin Giuseppe Emilio Gay me Medaljen e Artë për Shërbim Ushtarak në Kosovë. Me këtë rast, duke i dëshiruar shëndet, fat dhe suksese në angazhimet e reja gjeneralit Gay, më lejoni që t’i shpreh mirëseardhjen dhe dëshirën për sukses të plotë në detyrën e re gjeneralit Markus Bentler, me të cilin institucionet e Kosovës do të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që kemi pasur gjithnjë me komandantët e KFOR-it.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.